2013-05-27 13:08:20

Besimtarët katolikë nga trevat shqiptare shtegtarë feje në Shën Pjetër në Vatikan


Mase 350 besimtarë katolikë shqiptarë shtegtojnë në Shën Pjetër në Vatikan në kuadrin e Vitit të Fesë. Të udhëhequr nga barinjtë shpirtëror, shtegtarët katolikë shqiptarë nga të gjitha trevat sot në ora 11.00 morën pjesë në Meshën Shenjte kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit Apostull në Vatikan. Kremtimin Eukaristik e kryesoi kryeipeshkvi i Tivarit imzot Zef Gashi, me të cilin bashkëkremtuan Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë e kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmieri e shumë meshtarë e rregulltarë tjerë. Në homelinë e Meshës, imzot Zef Gashi nënvizoi domethënien shpirtërore të këtij shtegtimi, foli për shembullin e fesë të shën Pjetrit Apostull, për vlerën fetare e kombëtare që ka prania e besimtarëve shqiptarë në Shën Pjetër të Vatikanit, për dobinë që ka ky shtegtim feje për jetën shpirtërore të çdo besimtari, për dëshminë e vlerave ungjillore në shoqërinë tonë bashkëkohore. Imzot Gashi gjatë homelisë u ndal edhe te domethënia e Vitit të Fesë, te vlera që ka botimi i dokumenteve të Koncilit të Dytë të Vatikanit në gjuhën shqipe e te dëshmia e fesë në realitetin familjar e shoqëror.

Pas shtegtimit të djeshëm të besimtarëve katolikë shqiptarë në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano afër Romës, pas etapës së sotme në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, itinerari i shtegtimit vijon nesër, 28 maj, në Bazilikën e Shën Palit Apostull në Romë, ku do të kremtohet Mesha në ora 10.30, të cilën do ta kryesojë ipeshkvi i Kosovë imzot Dodë Gjergji. Pasnesër, më 29 maj, shtegtarët shqiptarë do të marrin pjesë në Audiencën e Përgjithshme të Papës Françeskut. Pasdite kthimi për në Bari të Italisë, ku rreth orës 19,30 do të jetë Mesha në Kishën Katedrale të Shën Kollit, të cilën do të kryesojë ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini. E në mbrëmje kthimi me traget për në vendlindje.

Kujtojmë se ky shtegtim është organizuar nga Konferenca Katolike e Shqipërisë në bashkëpunim me kryedioqezën e Tivarit dhe Administraturën Apostolike të Kosovës, me rastin e Vitit të Fesë e atë të 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos. Po më hollësisht të ndjekim intervistën me imzot Lucian Avgustinin, ipeshkëv i Sapës dhe zv.kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.