Papa Françesku i kundërvë idhullit të fitimit, nënshtetësinë e solidaritetit.
Sistemi ekonomik e financiar duhet rimenduar me frymë solidare, sepse kriza e sotme
ka nevojë për një vizion më etik të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. E pohoi Papa
në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus
Pro Pontefice, këto ditë, në Romë. Papa u ndalua fort tek tema e papunësisë dhe pohoi
me forcë se pamundësia për të fituar bukën e përditshme, është varfëria më e keqe
materiale, mbasi i mungon dinjiteti i punës. Nga kriza ekonomike nuk mund të shpëtojë
askush e masat, në rritje, të njerëzve që kanë humbur punën, sidomos në Perëndim,
janë një nga treguesit më të dhimbshëm të kësaj situate. Duhet rimenduar i tërë sistemi;
e pengesa kryesore për ta kapërcyer këtë situatë, që ka gjithnjë më shumë pamjen e
një urgjence shoqërore, është aradhja e shërbëtorëve të fitimit, të cilët nuk mund
ta dëgjojnë fjalën solidaritet e, kur e dëgjojnë, përdredhin buzët. Papa Françesku
e lexoi, plot mprehtësi, skenarin e planetit, duke nisur nga njeriu, që jeton sot
dramën e varfërisë, me ngjyrimet e mjerimit, njeriu që është i lidhur pas kafshatës
së përditshme: “Është një fenomen, ky i papunësisë – i mungesës dhe i humbjes
së punës – që po përhapet me shpejtësinë e njollës së vajit në zona të tëra të Perëndimit,
duke i zgjeruar shqetësueshëm kufijtë e varfërisë. E nuk ka varfëri më të tmerrshme
materiale, e nënvizoj këtë, sesa ajo, që nuk të krijon kushte për ta fituar bukën
e përditshme, që të lë pa dinjitetin e punës”. Pohimet e Papës u ndoqën
nga specialistët, që këto ditë janë në Romë për të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar
të Fondacionit Centesimus Annus pro Pontefice, organizëm i themeluar 20 vjet më parë
nga Gjon Pali II, kushtuar përhapjes së mësimeve shoqërore të Kishës. Problemi më
i mprehtë, rreth të cilit u fol sivjet në takim, ishte ai i nevojës për ta rimenduar
solidaritetin. Papa Françesku shpjegoi me ç’sy duhet parë solidariteti, në rrethanat
ekonomiko-shoqërore të ditëve tona: “Jo më si ndihmë e thjeshtë për më të
varfërit, por si rishikim global i gjithë sistemit, si kërkim i udhëve për ta reformuar
e për ta korrigjuar, në përkim të plotë me të drejtat themelore të njeriut, të të
gjithë njerëzve. E fjalës ‘solidaritet’, e cila nuk shihet me sy të mirë nga bota
ekonomike, si të ishte ndonjë fjalë e keqe, i duhet dhënë përsëri qytetaria shoqërore.
Solidariteti nuk është një shprehje më shumë, nuk është lëmoshë shoqërore, është vlerë
shoqërore, që kërkon nënshtetësinë e vet”. SiVeriu, ashtu edhe
Jugu i botës, vërejti Papa Françesku, e kanë kuptuar tashmë se diçka nuk funksionon.
E, duke kujtuar situatën aktuale, Ati i Shenjtë pohoi me forcë se kriza e sotme nuk
është vetëm ekonomike e financiare, por edhe, e sidomos, etike e antropologjike. Këtu
duhen kërkuar sot rrënjët e krizës: “Të rendësh pas idhujve të pushtetit,
të fitimit, të parasë, pa pyetur fare për vlerën e njeriut, është bërë ligj themelor
i funksionimit dhe kriter vendimtar i organizimit. Është harruar fare e vijon të harrohet
se përmbi marrëdhëniet tregtare, mbi logjikën dhe treguesit e tregut, është njeriu,
është një e drejtë, që duhet t’ia njohësh njeriut, si njeri, në sajë të dinjitetit
të tij të thellë: njeriut i duhet dhënë mundësia të jetojë me dinjitet e të marrë
pjesë aktivisht në punën për të mirën e përbashkët”. Duke e falënderuar
Fondacionin Centesimus Annus, Papa u tregoi edhe specialistëve të mësimeve shoqërore
të Kishës, se kanë nevojë për reflektim të ri, edhe në studimet e tyre: “Para
së gjithash duhet ta lidhin ngushtë mësimin e Kishës me evolucionin shoqëroro-ekonomik
i cili, duke qenë i vazhdueshëm dhe i shpejtë, paraqet aspekte përherë të reja: së
dyti, ‘të rimendosh’, do të thotë të thellosh, të reflektosh përsëri, për të kuptuar
gjithë fekonditetin e një vlere – solidaritetit, në këtë rast – që në thellësi buron
nga Ungjilli, domethënë nga Jezu Krishti, e si i tillë, përmban fuqi të pashterrshme”.