2013-05-24 17:11:24

Urdhri Françeskan i Fretërve të Vegjël ka eprorin e ri të përgjithshëm: Atë Michael Perry


Atë Michael Perry u zgjodh Epror i përgjithshëm i Urdhërit françeskan të Fretërve të Vegjël për gjashtë vitet e ardhshme.
I lindur në Indianapolis të SHBA, në vitin 1954, vëllau Michael deri tani ishte mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhërit. Ka kryer edhe një sërë detyrash të tjera të rëndësishme: epror provincial i provincës së Zemrës së Krishtit në SHBA, Drejtues i Formimit teologjik, i Formimit pas noviciatit dhe i Drejtësisë, Paqes e Integrimit Ndërkombëtar të Krijimit (Jpic). Kaloi 10 vjet në mision, në Republikën Demokratike të Kongos. Shërbeu edhe në Catholic Relief Services si dhe pranë Konferencës Ipeshkvnore të SHBA. Ka titullin doktor filozofie në Antropologjinë fetare; master në teologji, master në formimin meshtarak e diplomë në Historinë e Filozofisë.
Zë vendin e atë José Rodriguez Carballo, emëruar, më 6 prill 2013, nga Papa Françesku, sekretar i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Sipas agjencisë Fides, në homelinë e Meshës së parë si Epror i përgjithshëm, kremtuar sot paradite në Romë, fra Perry kujtoi se fretërit e vegjël duhet t’ia besojnë veten plotësisht Shpirtit të Zotit. “Në një botë, ku të rinjtë kanë etje për jetë të mbushur me kuptim; pleqtë, etje për hapësira të reja e horizonte të reja; të varfërit, për mbrojtjen e dinjitetit, ne, fretërit, jemi të thirrur ta jetojmë e ta kumtojmë vëllazërinë si shenjë e mëshirës së Atit, duke u bërë vëllazëri profetike”- nënvizoi.
Tri fjalët kryesore të mesazhit të Gjeneralit të ri të Fretërve të Vegjël: “Një mendjeje, si vëllezër, plot mëshirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.