Javës së kaluar, u zhvillua në Vienë, seminari i parë i Qendrës ndërkombëtare për
dialogun ndërfetar dhe kulturor KAICIID. Tema e takimit: “Imazhi i tjetrit”. Në seminar
morën pjesë rreth 130 edukatorë dhe ekspertë të arsimit. Themeluar nga Arabia
Saudite, Spanja dhe Austria, së bashku me Selinë e Shenjtë si vëzhguese, kjo qendër,
që mban emrin e “Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz”, u ndal veçanërisht në edukimin ndërfetar
e ndërkulturor, duke kërkuar mënyrën më të mirë të veprimit për rajonin euromesdhetar.
Përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë kërkuan të rishikohen librat shkollorë dhe edukativë
në përgjithësi, me qëllim eliminimin e këndvështrimeve të shtrembëruara për të tjerët
dhe përgatitjen e një brezi të aftë për miqësi, respekt e dialog. Në komunikatën
përfundimtare, të gjithë pjesëmarrësit e takimit nënvizuan se një rol të rëndësishëm
duhet të luajë shteti, i cili mund dhe duhet t’u japë mundësinë qytetarëve të vet
të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në një shoqëri pa diskriminime. Zgjidhja e
problemeve, thekson Qendra, nuk mund të jetë e njëjtë për të gjithë, por i duhet përshtatur
vendit. Gjithsesi, ajo duhet të sigurojë përfshirjen e të gjitha niveleve edukative,
duke filluar nga prindërit, bashkësitë, institucionet fetare, e duke përfshirë shoqërinë
civile e qeverinë. Tema “Imazhi i tjetrit” do të shtjellohet në tri vjet. Këtë vit,
në qendër është arsimi, në vitin 2014, mas media, ndërsa në vitin 2015, interneti.