2013-05-24 10:28:48

Besojma e Papës Françesku me ipeshkvijtë italianë: ecni me grigjën e jepini shpresë


Të jesh bari i grigjës së Krishtit, do të thotë të ecësh para, pas dhe në mes të saj, duke u përkulur mbi ata, që Zoti na i ka besuar, duke u dhënë dorën nevojtarëve për t’u ngritur plot shpresë të re. Dje pasdite, Papa Françesku kryesoi në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Besojmën e Fesë së bashku me ipeshkvijtë italianë, të mbledhur për Asamblenë e tyre të 65-të të Përgjithshme. Pas Liturgjisë së Fjalës, Ati i Shenjtë meditoi mbi detyrën e ipeshkvit në Kishën Katolike, për t’ia lënë vendin Besojmës dhe Lutjes drejtuar Zojës së Bekuar. Në fund, të gjithë kënduan himnin e Mbretëreshës Qiellore, ndërsa Papa Bergolio vendosi lule pranë figures së Virgjërës Shenjte.
Sonte, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve gjatë meditimit, elteri i Rrëfimit i Bazilikës bëhet liqeni ynë i Tiberiadës, në brigjet e të cilit Jezusi pyet Shën Pjetrin: “A më do? A je miku im?”. Pyetja i drejtohet secilit prej nesh e na nxit të shohim brenda vetes, vërejti Papa. Hyji, që sheh deri në thellësi të zemrës së secilit, lyp prej nesh dashurinë e na vë përballë çështjes më thelbësore, premisë e kusht për të kullotur grigjën e Tij, qingjat e tij, Kishën. Ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar ipeshkvijve, nuk jemi shprehje e ndonjë strukture, apo e ndonjë nevoje organizative, jemi shenjë e dashurisë dhe e pranisë së Zotit:
“Jezusi, Bariu i Mirë, nuk poshtëron, as na braktis kur na bren ndërgjegjja: në Të flet ëmbëlsia e Atit, që ngushëllon e nxit, na bën të kalojmë nga shpërbërja e turpit - sepse vërtet, turpi na shpërbën – në bashkimin e besimit; na jep guxim, na beson sërish përgjegjësi, na jep në dorë misionin”.
Papa Françesku citoi Shën Palin Apostull, i cili u kërkon atyre, që kanë detyra në Kishë, të vigjëlojnë mbi grigjën e mbi vetveten:
“Mungesa e vigjëlimit – e dimë – e bën të vakët Bariun – theksoi Ati i Shenjtë – ia merr mendjen, e bën të harrojë e madje edhe të vuajë, e tundon me prespektivën e karrierës, e josh me para dhe kompromise sipas frymës së botës, e dembelos, e shndërron në funksionar, në një klerik të shqetësuar më tepër për vetveten, për organizimin e për strukturat, se sa për të mirën e vërtetë të Popullit të Zotit”.
Në këto raste, ka rrezik të bëjmë si Shën Pjetri apostull e ta mohojmë Zotin, vërejti Papa Bergolio, megjithëse formalisht, paraqitemi në emër të Tij. “Kush jemi o vëllezër para Zotit? – pyeti Papa ipeshkvijtë. Cilat janë sprovat tona? Çfarë po na thotë Hyji përmes tyre? Ku mbështetemi për t’i kapërcyer?”:
“Të jesh Bari do të thotë të besosh çdo ditë në hirin e në forcën, që na vjen nga Zoti, pavarësisht nga brishtësia jonë, e të marrësh përsipër deri në fund përgjegjësinë për të ecur ‘para’ grigjës, i lehtësuar nga peshat, që e pengojnë zellin e shëndoshë apostolik, pa mëdyshje në udhëheqje, në mënyrë që zëri ynë të njihet si nga ata, që e kanë përqafuar fenë, ashtu edhe nga ata, që “nuk janë akoma të kësaj vathe” (Gjn 10,16): jemi të thirrur ta bëjmë tonën ëndrrën e Zotit, nga shtëpia e të cilit nuk përjashtohen as njerëzit, as popujt, siç thoshte profetikisht Isaia”.
Kjo do të thotë, vazhdoi Papa Françesku, se Barinjtë e Kishës duhet të ecin jo vetëm përpara, por edhe në mes e prapa grigjës, të dëgjojnë ata që vuajnë e të shoqërojnë ata, që mendojnë se nuk ia dalin dot, t’i ngrenë e t’u japin shpresë. Ndër të gjithë këta, këshilloi Ati i Shenjtë, një vend të veçantë duhet të zënë meshtarët, për të cilët duhet të mbetet hapur zemra, dora e porta e çdo ipeshkvi.
Në fund, pas Besojmës, Papa Françesku i lartoi Virgjërës Shenjte, Nënës së Kishës, një lutje plot zjarr:
“Nënë e heshtjes, që ruan në zemër misterin e Zotit,
na liro nga idhujt e sotëm, me adhurimin e të cilëve e dënon vetveten, ai që harron.
Spastroi sytë e Barinjve me ilaçin e kujtesës:
do të kthehemi kështu, në freskinë e zanafillës, për një Kishë që lutet e pendohet.

Nënë e bukurisë, që lulëzon nga besnikëria ndaj punës së përditshme,
na zgjo nga mpirja e dembelisë, nga meskiniteti e disfatizmi.
Mveshi Barinjtë me atë dhembshuri, që bashkon e na bën një: do të zbulojmë kështu, gëzimin e një Kishe shërbëtore, të përvuajtur e vëllazërore.

Nënë e ëmbëlsisë, që na rrethon me durim e mëshirë,
na ndihmo t’u vemë flakën trishtimeve, padurimeve dhe ngurtësisë së atyre, që nuk njohin përkatësi.
Ndërmjetëso pranë Birit tënd, që të shkathtësohen duart, këmbët e zemrat tona:
do të ndërtojmë kështu, një Kishë, me të vërtetën në dashuri.

E do të jemi Populli i Zotit, në shtegtim drejt Mbretërisë së Hyjit. Amen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.