2013-05-24 14:03:27

Atmosferë pritjeje për Lumnimin e don Pino Puljisit, hero i përvuajtur i rrethinave të botës.


Kisha siciliane, e jo vetëm ajo, po numëron orët, që e ndajnë nga e shtuna, ditë në të cilën, në 10.30, gjatë një kremtimi të madh nën qiell të hapur, në Forin italik “Umberti I”, të Palermos, do të lartohet në nderimet e elterit don Pino Puljisi. Meshtari italian, i mbytur nga kriminelët e mafias më 25 shtator 1993, njihet e nderohet nga Kisha si martir. Jeta e tij shembullore la një vazhdë të thellë në ndërgjegjen e sicilianëve. Për të flet, në mikrofonin tonë, don Alesandro Maria Minutela:

Përgjigje: - Besoj se Lumnimi do të shërbejë edhe më shumë për ta parë si model, e jo vetëm për Kishën e Palermos, sepse don Pino, e kjo më duket e rëndësishme të nënvizohet, nuk ishte prift kundër mafias, por prift që e mishëroi Ungjillin kundër atyre, që Fon Baltazar i quante “forcat antikristiane të së keqes”. Mund të jenë mafia a çfarëdo forme e së keqes, e mishëruar në historinë e botës. Ja pse mund të quhet martir: sepse u mbyt nga urrejtja për fenë. Prej këndej, është model jo vetëm për meshtarët e Palermos, për Kishën e Palermos e të Sicilisë, por për të gjithë të krishterët, në të gjitha vendet. Model të cilit duhet t’i përngjajmë, si të gjithë martirëve. Pastaj duhet të keni dëgjuar edhe se, kur u zhvarros, trupi i tij u gjet fare i paprishur; shenjë tjetër shumë shprehëse. Reliket e tij tani ndodhen në katedralen e kryeqendrës e pritet shumë ky kremtim, në shëtitoren e bregdetit, në Palermo.

Pytetje: - Si mund të impenjohet sot Kisha kundër mafias?

Përgjigje: - Don Puljisi përsëriste shpesh një shprehje, që u bë simbol: “Nëse gjithkush bën diçka, atëhere gjithçka mund të ndryshojë”. Mafia shumë herë synon të krijojë atmosferë amullie, i nxit njerëzit të bëhen fatalistë… Ndërsa ai luftonte për impenjim kolektiv, në kërkim të së mirës së përbashkët. E këtë gjithnjë nën dritën e vlerave të Ungjillit.

Pyetje: - A ka ende priftërinj a rregulltarë, që kërcënohen me jetë?

Përgjigje: - Nuk na rezulton, përsa dimë, të ketë kërcënime të veçanta. Gjithsesi është e qartë se ka një vijë kufiri baritor, që priftërinjtë e zonave periferike të botës e njohin fare mirë. Në këtë kuptim don Puljisi mund të bëhet model, shembull, nxitje për të ecur përpara. Shën Terezina e Krishtit Fëmijë thoshte: “Të gjithë heronjtë, marrë së bashku, vlejnë më pak se një martir”.







All the contents on this site are copyrighted ©.