2013-05-23 14:27:18

Dëshmia e ipeshkvit martir imzot Romeros, në qendër të bisedës së Papës me Presidentin e Salvadorit


Papa Françesku priti sot paradite në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidentin e El Salvadorit, Carlos Mauricio Funes Cartagena. Në 12 minuta bisedë, u fol kryesisht për figurën e Shërbëtorit të Zotit, imzot Oskar Arnulfo Romero, ish-kryeipeshkëv i San Salvadorit në pritje të njohjes si i lum, vrarë nga një sikar në vitin 1980, ndërsa kremtonte Meshën, për shkak të denoncimeve të vazhdueshme kundër qeverisë diktatoriale të vendit. Presidenti Funes i dhuroi Papës Françeskut një relikuar, në të cilin ruhet një copë nga petkat e Meshës që kishte veshur imzot Romero kur qe vrarë. Në pëlhurë shihet qartë një njollë gjaku. Relika ka formën e kryqit, në krahët e të cilit pasqurohen figura njerëzish, simbol të pjesëmarrjes së popullit të Zotit në vdekjen e ipeshkvit të vet, ndersa poshte shkruhet:"Imzot Romero, udhëheqës shpirtëror i Salvadorit".
Peshtafi është vepër e motrave të spitalit të Provanisë Hyjnore, në kapelën e të cilit u vra imzot Romero. Vetë presidenti i Salvadorit ka qenë nxënës i jezuitit salvadorian, atë Rutilio Grande, vrarë për shkak të fesë tri vjet para imzot Romeros, i cili e ndoqi mikun e bashkëpunëtorin në udhën e Kalvarit.
Papa Françesku dhe presidenti Funes vlerësuan kontributin e Kishës Katolike për konsolidimin e paqes në Salvador, si edhe impenjimin e saj në fushën e bamirësisë, të arsimit, të çrrënjosjes së varfërisë e të luftës kundër kriminalitetit të organizuar. U prekën edhe tema etike si mbrojtja e jetës, e martesës dhe e familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.