2013-05-22 14:49:16

Papa Françesku: kultura e takimit është në bazën e paqes


I gjithë njerëzimi, pavarësisht nga ideologjitë e nga fetë, pranon se “të bësh mirë” është parim i rëndësishëm i jetës. Ky parim, nënvizoi sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, krijon kulturën e takimit, bazë e paqes. Bashkremtoi me Atin e Shenjtë, Patriku i Antiokisë së Maronitëve, kardinali Beshara Butros Raji.
Ungjilli i kësaj së mërkure flet për dishepujt e Jezusit, që pengojnë një person jashtë grupit të tyre, të bëjë mirë. Ankohen, tha Papa në homeli, sepse ai s’është i tyre, s’është i “partisë” së tyre, prandaj nuk mund të bëjë mirë. Por Jezusi i qorton ashpër. Dishepujt, shpjegoi Ati i Shenjtë, mendonin se vetëm ata e njihnin të vërtetën, e vetëm ata mund të bënin mirë. Por Jezusi e zgjeron këtë horizont. Rrënjët e mundësisë për të bërë mirë gjenden në aktin krijues të Hyjit, nënvizoi Papa Bergolio:
“Zoti na krijoi në shembëllim e në përngjasim me të e ne jemi imazhi i Hyjit. Ai bën mirë, prandaj të gjithë ne e kemi në zemër këtë urdhërim: bëj mirë e mos bëj keq. Të gjithë. ‘Po… atë, ky nuk është katolik! Nuk mund të bëjë mirë!’. Natyrisht që mund ta bëjë. Duhet ta bëjë. Nuk mundet vërtet: duhet! Sepse e ka brenda vetes këtë urdhërim. …Ndërsa, kjo mbyllje, ky mendim se jo të gjithë mund të bëjnë mirë është mur, që na çon drejt luftës. Dikush ka menduar në histori, edhe për këtë: të vrasë në emër të Zotit. Ne mund të vrasim në emër të Zotit, por kjo, s’është tjetër veçse blasfemi. Të thuash se mund të vritet në emër të Zotit, është blasfemi”.
Hyji, vazhdoi Papa argjentinas, na e ka skalitur mirë në zemër atë, që do prej nesh: të bëjmë mirë:
“Të gjithëve, të gjithëve, Zoti na shëlbon me gjakun e Krishtit: të gjithë, jo vetëm katolikët. Të gjithë! ‘O atë, po ateistët?’. Edhe ata. Të gjithë! E gjaku i Krishtit na bën bij të Hyjit të kategorisë së parë! Jemi krijuar si bij përmes përngjasimit me Zotin e gjaku i Krishtit na shëlbon të gjithëve! Dhe të gjithë e kemi për detyrë të bëjmë mirë. E urdhërimi për të bërë mirë të gjithë, besoj është një udhë e bukur drejt paqes. Nëse ne, secili sipas mundësive, u bëjmë mirë të tjerëve, takohemi duke bërë mirë e dalëngadalë krijojmë kulturën e takimit: kemi shumë nevojë për të. Të takohemi ndërsa bëjmë mirë. ‘Ah, por unë nuk besoj, o atë, unë jam ateist!’ Bëj mirë: aty takohemi!”.
Të bësh mirë, shpjegoi Papa Françesku, nuk është çështje feje, është detyrë, është letërnjoftimi, që Ati Qiellor u ka dhënë të gjithëve. E në fund, kujtoi festën e sotme të Shën Ritës së Kashës, duke iu lutur:
“Sot është Shën Rita, Pajtore e së pamundurës… T’ia kërkojmë asaj këtë hir, hirin që të gjithë, të gjithë njerëzit pa përjashtim të bëjnë mirë. T’i lutemi të takohemi në këtë vepër, që është akt krijimi, i ngjan krijimit të Atit Qiellor. Është punë në familje, sepse të gjithë jemi bij të Zotit: të gjithë, të gjithë! E Zoti na do të gjithëve! Ndërmjetësoftë shën Rita për këtë hir, që duket gati i pamundur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.