Muzika e kësaj Shtëpie është dashuria: kështu Papa Françesku gjatë vizitës në Shtëpinë
e motrave të Nënë Terezës
Me shërbimin tuaj të përditshëm, ju jeni dora e Zotit, që shuan urinë e çdo të gjalli.
Me këto fjalë, Papa Françesku u foli motrave të Nënë Terezës, gjatë vizitës së pasdites
së djeshme në Shtëpinë “Dhurata e Marisë” në Vatikan. Struktura strehon 25 gra dhe
u jep për të ngrënë rreth 60 burrave. Ati i Shenjtë u takua me mëse 100 vetë, ku bënin
pjesë jo vetëm motrat “Misionare të Bamirësisë”, por edhe të varfërit e vullnetarët.
Rasti qe 25 vjetori i dhënies së kësaj shtëpie së Lumes shqiptare nga i Lumi Gjon
Pali II. “Ju, të dashura motra, së bashku me misionarët e bamirësisë dhe me
bashkëpunëtorët, e bëni të dukshme dashurinë e Kishës për të varfërit”. Papa
i falenderoi me gjithë zemër murgeshat e vullnetarët, që për vite me radhë janë përkulur
mbi nevojtarët, si Samaritani i Mirë. “Sa plagë, sidomos shpirtërore, keni mjekuar!”
u tha plot mirënjohje Ati i Shenjtë. Në atmosferën festive, mbushur me këngë
e muzikë, motrat i vunë Papës një kurorë lulesh në qafë, sipas zakonit indian. E
Ati i Shenjtë, siç bën zakonisht, i përshëndeti të gjithë, një nga një. E quajti shtëpinë
e motrave të Nënë Terezës, rezultat të bashkëpunimit ndërmjet të Lumëve. Shenjtëria
ka kaluar këndej, tha. E si gjithmonë, zgjodhi tri fjalë për reflektimin e tij: shtëpia,
dhurata e Maria. Shtëpia është vend mikpritjeje, vend i dashurisë e përfaqëson pasurinë
më të çmuar njerëzore, atë të takimit ndërmjet njerëzve të ndryshëm, që ndihmojnë
njëri-tjetrin. Shtëpia pra, nënvizoi Papa Françesku, është vendi kryesor, ku njeriu
mëson të marrë e të japë dashuri e, kështu është edhe shtëpia “Dhurata e Marisë” që
prej 25 vjetësh: “Në kufirin ndërmjet Vatikanit e Italisë, ajo është thirrje
e fuqishme që na drejtohet të gjithëve, Kishës, qytetit të Romës, që të jemi gjithnjë
e më shumë familje, ‘shtëpi’ me dyer të hapura për mikpritjen, kujdesin, vëllazërinë”. Këtu,
u tha Papa motrave të Nënë Terezës, u dhurohet njerëzve përkrahja materiale e shpirtërore,
por edhe ju vetë jeni dhuratë për këtë shtëpi e për Kishën: “Ju na thoni se
të duash Zotin e të afërmin nuk është aspak abstrakte, por thellësisht konkrete: do
të thotë të shohësh në çdo njeri fytyrën e Zotit e t’i shërbesh konkretisht. E ju,
të dashur vëllezër e motra, jeni fytyra e Jezusit. Faleminderit! Ju ‘u dhuroni’ atyre
që punojnë në këtë vend, mundësinë për t’i shërbyer Jezusit në njerëzit që vuajnë,
në ata, që kanë nevojë për ndihmë”. Në shtëpinë “Dhurata e Marisë” u shërbehet
të gjithëve pa dallim kombësie, apo feje. Në kundërshtim me kapitalizmin e shfrenuar,
që u mëson njerëzve logjikën e fitimit me çdo kusht e atë të shfrytëzimit, nënvizoi
Ati i Shenjtë, të gjithë duhet t’i bëjmë sërish tonët, solidaritetin e dhurimin: “Kjo
Shtëpi është vend që edukon me dashuri, ‘shkollë’ bamirësie, që na mëson të ndihmojmë
çdo njeri, jo për përfitime, por për hir të dashurisë. Muzika e kësaj Shtëpie – të
themi kështu – është dashuria”. Papa Françesku vlerësoi faktin se seminaristë
nga e gjithë bota shkojnë tek motrat e Nënë Terezës, për një periudhë shërbimi. Emri
i Marisë, e cila ia dhuroi Zotit krejt jetën e vet, është nxitje për ta kuptuar bamirësinë
jo si një lloj detyre shoqërore, por si pasojë e dashurisë së Zotit. Ati i Shenjtë,
duke cituar fjalët e mëparshme të Eprores së Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë,
motër Maria Prema Pierik, kujtoi se është pikërisht Maria ajo, që na mëson si të shkojmë
drejt Jezusit: “Për ne të krishterët, dashuria për të afërmin lind nga dashuria
e Zotit e është shprehja e saj më e kristaltë. Këtu, përpiqeni ta doni tjetrin, por
edhe ta lejoni atë t’ju dojë”. Këto dy qëndrime ecin bashkërisht, tha së fundi
Papa Françesku, duke kujtuar fjalët, që Misionaret e Bamirësisë shkruajnë në krye
të çdo letre zyrtare, fjalët e Jezusit: “Gjithçka bëni për njërin ndër këta vëllezërit
e mi më të vegjël, e bëni për mua”.