O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë, e nderuar me
titullin “Ndihma e të krishterëve” në Shenjtëroren e Sheshanit, nga e cila i drejton
sytë, plot dashuri, mbarë Kisha në Kinë. Po vijmë sot para teje për të kërkuar
mbrojtjen tënde. Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare në
rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë tharm i bashkëjetesës
plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.
Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove
në Nazaret, ti i lejove Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin
tënd virgjëror e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit, në të cilën bashkëpunove
me përkushtim durimtar, duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin, deri
në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar drejt në këmbë, pranë Birit tënd,
i cili vdiste, që njeriu të jetonte.
Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt
të re, Nënë e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin, që
pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpatulla. O Nënë e shpresës,
që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise me besim të patundur drejt agimit
të Pashkëve, jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë, sado e
errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhëmshur të Hyjit. O Zoja jonë e Sheshanit,
ndihmoi të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë,
të shpresojnë e të duan, të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin
e Jezusit për botën.
Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart
Birin tënd, ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie. Ndihmoi
katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie, duke
i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha. Nëna
e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!