2013-05-21 13:12:16

Tweet i Papës Françesku për viktimat e tornados në Oklahoma City


I përmendi edhe gjatë homelisë së meshës së mëngjesit, në lutjen e besimtarëve, por Papa Françesku u kushton edhe mesazhin e sotëm në Twitter, viktimave të tornados në Oklahoma City. “Jam pranë familjeve të të gjithë atyre, që gjetën vdekjen në tornadon e Oklahomës, veçanërisht atyre, që humbën fëmijët. Lutuni për ta, së bashku me mua”, u kërkon Ati i Shenjtë të gjithë besimtarëve të botës.
Janë të njohura tashmë skenat apokaliptike, që la pas tornado, i cili shkatërroi çdo gjë gjeti përpara në Oklahoma, sidomos në qytezën Moore, ku era me shpejtësi rreth 320 kilometra në orë – një nga tornadot më të fuqishme deri tani – rrafshoi me tokën një shkollë fillore. Bilanci i viktimave, i destinuar të rritet, flet për 91 vetë, ndër të cilët, së paku 20 fëmijë. Të shumtë ata, që shpëtuan e dolën nga rrënojat me ndihmën e vullnetarëve. Presidenti amerikan Obama shpalli gjendjen e emergjencës për shtetin e Oklahomës, ku sipas meteorologëve, që lajmëruan për tornadon 16 minuta para se të shpërthente, mund të ketë tornado të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.