2013-05-21 15:43:43

Shtëpia e pritjes “Dhurata e Marisë”.


Shtëpia “Dhurata e Marisë”, përuruar më 28 maj 1988 nga i Lumi Gjon Pali II dhe e Lumja Nëna jonë Terezë, themeluese e Motrave të Bamirësisë, ndodhet pranë pallatit të ish-Zyrës së Shenjtë. Është strehë për të pastrehët. Shujton ditë për ditë qindra të varfër, gra e burra, u siguron dhjetra grave një krevat për të fjetur e edhe i mjekon kur kanë nevojë, përmes një infermierie, që funksionin brenda strukturës.
Kjo portë e thjeshtë, përskaj Vatikanit, njihet mirë nga shumë shqiptarë. Aty, ndërmjet radhëve të gjata të nevojtarëve që presin ndihmë, mund të dëgjosh çdo ditë të flitet shqip.
Bashkësia rregulltare e motrave të Nënë Terezës e fillon ditën me lutje e, në orën 8.00, mbledh frytet e kësaj lutjeje, dmth fillon punën me të varfërit. Motrat i shërbejnë shtëpisë së pritjes për gratë, ku strehojnë deri në 74 gra dhe mensës për burra, që vijnë këtu për të ngrënë në mbrëmje. Përpiqen t’u japin jo vetëm bukën e korpit, por edhe atë të shpirtit, duke ndarë me ta çdo ditë kafshatën e gojës e Fjalën e Zotit. Në mbrëmje ka shumë punë në mensë, sepse gratë vijnë të gjitha për të ngrënë. Pastaj motrat nuk rrinë vetëm në shtëpi, por dalin edhe përjashta Vatikanit. Kur të varfërit nuk shkojnë tek motrat, shkojnë motrat t’i kërkojmë, atje ku janë, në rrugë, në spitale, në vetminë e shtëpive të tyre. Të gjithëve përpiqen t’u japin jo vetëm ushqimin fizik, por edhe Fjalën e Zotit.
Që më 1970 Nënë Tereza shprehu dëshirën t’i mblidhte një ditë të varfërit në zemër të Kishës. Ishte dëshirë e madhe. E Gjon Pali II, pasi vizitoi shtëpitë e saj në Kalkutë, në vitin 1986, ia plotësoi këtë dëshirë. ‘Dhurata e Marisë’ është fryt i takimit të këtyre dy dëshirave: të Nënës sonë Terezë e të Atit të Shenjtë, Gjon Palit II.
Në Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’ përveç Misionareve të Bamirësisë, të varfërit asistohen edhe nga një grup vullnetarësh, që bëjnë pak nga të gjitha.
Për të fjetur këtu vijnë gra pa strehë, nga vende të ndryshme. Vijnë në Romë për të kërkuar vende pune e gjejnë mbështeje pikërisht në shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’. Rrinë këtu 15, 20 ditë, gjatë të cilave kërkojnë punë e pastaj shkojnë të punojnë. Për natë, para ngrënies, lexohet Ungjilli i ditës e pastaj edhe shpjegohet. E lexon një nga vullnetarët ose ndonjë meshtar, që atë ças është i pranishëm në shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’.
Benedikti XVI e njihte mirë këtë qendër bamirësie, që nga koha kur ishte Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Si Papë, pastaj, e vizitoi më 4 janar 2008. Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, duke kujtuar rolin e kësaj Shtëpie, zgjedhur nga vetë Nënë Tereza, Papa Benedikti pati thënë: “Kushdo që vjen e troket në këtë portë, merr dhuratën e Marisë, pritjen me krahë hapur nga motrat e vullnetarët. Dhuratë e Marisë është prania e atyre, që ndalohen të dëgjojnë njerëzit në vështirësi e t’u shërbejnë me të njëjtin zell, që e nxiti Nënën e Zotit të ngarendte në ndihmë të Shën Elizabetës”. Papa i nderit pati vizituar asokohe mensën për burrat dhe pati takuar disa të sëmura në infermieri, për të kremtuar, më pas, në një kishë aty afër, me Misionaret dhe Misionarët e Bamirësisë dhe bashkëpunëtorët e tyre laikë. Pasi pati ndjekur përshëndetjen e motër Nirmala Joshit, eprore e përgjithshme e Urdhërit, i pati inkurajuar rregulltaret e rregulltarët të jenë si Mbretërit Dijetarë që, pasi erdhën nga larg për të adhuruar Mbretin-Mesi, u rikthyen në trojet e veta të largëta për të kumtuar lajmin e Mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.