2013-05-21 12:08:58

Libi: atentat pranë kishës katolike të Bengasit.


Në Libi, natën e 17 majit, u mor në shënjestër kisha e Zojës së Papërlyer e Bengasit. Dikush kishte vënë një bombë në hyrje të korridorit, që çon në oborrin, ku ndodhet porta e kishës. Kisha nuk u prek drejtpërdrejt, por atentati, bërë me qëllim fyerjeje ishte shenjë jo pozitive, njofton agjencia Fides. Ky atentat e thellon më tej situatën e vështirë, në të cilën jeton bashkësia e vogël e krishterë në kryeqendrën e Cirenajkës, gjithnjë në shënjestër të fondamentalistëve islamikë. Në Bengasi u sulmua kisha kopte, u vra kapelani i saj e tani po sulmohet edhe kisha katolike. Shumë institute fetare rregulltaresh janë detyruar të largohen, duke e lënë popullsinë pa shërbimin e tyre bujar. E megjithatë të diel, në Meshën e Rrëshajëve, morën pjesë shumë njerëz, posaçërisht libikë, që erdhën t’i shprehin solidaritetin e tyre meshtarëve e atyre pak murgeshave, të cilat vijojnë t’i shërbejnë këtij vendi të martirizuar, duke vënë në rrezik vetë jetën e tyre.
“Mjaft më me dhunë; mjaft më me vrasje pa pikë kuptimi. Ne dëshirojmë të dialogojmë. E kemi besim në vullentin e mirë të popullit libik, që na do” thekson imzot Martineli, mëkëmbës apostolik i Tripolit.







All the contents on this site are copyrighted ©.