Jetëshkrimi i Nënë Terezës, lexuar në Meshën me Ritin e Lumnimit
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje thellësisht fetare në të
cilën mbretëronte dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u
pagëzua me emrin Gonxhe Anjeza. E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim
pas vdekjes së t'et, kishte një karakter të ëmbël, por të vendosur, që ndikoi shumë
në personalitetin dhe në drejtimin e ardhshëm të Nënë Terezës. Në moshën 18 –vjeçare,
me dëshirën për t’u bërë misionare, ajo e la shtëpinë për të shkuar në Institutin
e Zojës së Bekuar, i njohur si Motrat e Loretos, në Irlandë. I dhanë emrin motër Mari
Tereza. Në dhjetor u nis për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Motër
Tereza mori kushtet e para rregulltare në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24
maj 1937. Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim
në Shkollën e Shën Marisë në Entali të Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës.
Ishte e njohur për bamirësi, altruizëm, guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror
për organizim, dhe besnikëri e gëzim për jetën e shuguruar. Më 10 shtator 1946,
gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme,
Nënë Tereza mori nga Zoti atë që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”.
Që nga ajo ditë, etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj,
dhe dëshira për ta shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve
ndër të varfër, u bë forca tërheqëse e jetës së saj. Pasi mori lejet e nevojshme,
më 17 gusht 1948 ajo la kuvendin e Loretos dhe hyri në botën e të varfërve. Me të
u bashkuan nxënëset e dikurshme të shkollës së Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata
e re e Misionareve të Bamirësisë u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda
një kohe të shkurtër, Nënë Tereza hapi shkollat e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore
në shumë vende të qytetit. Dekreti i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi
Nënë Terezën që ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet
shtoheshin vazhdimisht. Me qëllim që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe
shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë,
më 1963; më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984
Etërit Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë
Bashkëpunëtorë për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Bashkëpunëtorë, Misionarë laikë të
Bamirësisë. Më 1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët. Në vitin
1997, Motrat e Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë
në 123 vende të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si
Eprore të Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë. Më 5 shtator, jeta tokësore
e Nënë Terezës mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë
Mëmë shpejt u bë një vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për
të varfër e të pasur. Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia,
ashtu edhe nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Ceshtjet e Shenjtërve lejoi
fillimin e Kauzës së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e
Kalkutës, në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori
1999 deri më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës
u miratua nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002.