2013-05-21 12:08:46

Egjipt: përsëri sulme kundër bashkësisë kopto-ortodokse; u vihet flaka dy kishave.


Bashkësia kopto-ortodokse egjiptiane po përballon një sulm të ri nga ana e islamistëve. Më 17 majin e kaluar, në zonën e Dakhelës, në perëndim të Aleksandrisë e në Menpal, dy kisha u sulmuan me bomba molotov.
Në Aleksandri, një grup prej 20 mijë myslimanësh sulmoi Kishën e Shën Marisë, duke djegur hyrjen e ndërtesës e duke thyer të gjithë xhamat. Gjatë sulmit, një besimtar humbi jetën për shkak të një goditjeje në zemër. Koptët e krishterë iu përgjigjen kësaj dhune të re, duke dalë nga banesat e tyre e duke formuar një mur njerëzor rreth kishës. Sipas dëshmitarëve, disa islamistë, të armatosur me pushkë e pistoleta, nisën të qëllojnë mbi murin njerëzor pa asnjë mbrojtje. Në zanafillë të ndeshjeve, njofton agjencia AziaNjuz, ishte grindja ndërmjet dy familjeve, njëra e krishterë, tjetra myslimane. Episode të tilla po bëhen gjithnjë më të shpeshta. Forcat e policisë po kërkojnë disa të rinj myslimanë, për t’i arrestuar, ndërsa besimtarët e vërtetë të të dyja palëve përpiqen me të gjitha forcat të ngjallin frymën e dialogut, të pajtimit e të paqes. AziaNjuz kujton se episode të tilla, në rend të ditës, të injoruara nga policia, vijojnë të mbjellin vdekje e shkatërrime. Episodi më i rëndë ishte ai, që ndodhi para katedrales së Shën Markut, në Kairo, ku grupe islamistësh sulmuan me gurë e me bomba molotov, funeralin e katër të krishterëve koptë, vrarë gjatë ndeshjeve të 5 prillit të kaluar. Pasojat: 2 të vdekur, 80 të plagosur e kisha në flakë.








All the contents on this site are copyrighted ©.