2013-05-20 14:04:20

Festa e popujve në Romë


Dje, në Romë, u kremtua ‘Festa e popujve’. Manifestimi, në të cilin morën pjesë shumë bashkësi etnike, të pranishme në kryeqytet, sivjet përkoi edhe me Rrëshajët. Festa, e organizuar nga misionarët Skalabrinianë, Zyra Migrantes e Romës, Karitasi dioqezan dhe bashkësitë etnike të kryeqytetit, u mbajt në Sheshin para Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Zemra e festës ishte Mesha Shenjte, kremtuar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga ipeshkvi Mateo Xupi, ndihmës për sektorin e qendrës së kryeqytetit, shoqëruar nga koret e 27 bashkësive etnike. Pas Meshe, dreka në shesh, me specialitete nga mbarë bota. Ndërsa në orën 15.00, shfaqja folkloristike, me pjesëmarrjen e 33 grupeve nga kombe të ndryshme.
Për të ditur si zu fill kjo festë gazmore, në të cilën marrin pjesë çdo vit edhe përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare të Romës, ftuam në mikrofonin tonë, rregulltarin skalabrinian, atë Gaetano Saraçino:

Përgjigje: - Lindi 22 vjet më parë për takimin e bashkësive etnike, të pranishme këtu, në Romë, të organizuara në qendra baritore e shoqata. Lindi në gjirin e bashkësisë katolike të Romës, përmes veprimtarisë së misionarëve skalabrinianë, në bashkëpunim me dioqezën, që nga viti 1999, e pastaj edhe me Zyrën Migrantes. Shumë shpejt u shtri në të gjitha bashkësitë, që jetojnë në Romë, por që nuk kanë lindur në Romë. Sidoqoftë, festa nisi: festë e qytetit, e bashkësive etnike të pranishme në gjithë qytetin e Romës. Dje ishin në Shesh më se 150 etni. Për ta e me ta u realizua edhe sivjet “Festa e popujve”, nga ora 9.00 e mëngjesit, deri në orën 21.00 të mbrëmjes.

Pyetje: - Ç’kuptim ka tema e sivjetme: “Takim që ndryshon”?

Përgjigje: - Atë të ndryshimit. Në 22 vjet do të ishte e natyrshme që festa të evoulonte, të ndryshonte. Lindi për të lidhur disa bashkësi të vogla, nja 300 vetë, e u bë festë e madhe e emigrantëve. Por nuk ndryshon vetëm festa: ndryshojnë edhe njerëzit, që marrin pjesë në festë. E kjo është bukuria e kremtimit, sidomos kur kremtohet në festën e Shpirtit Shenjt. Natyrisht nuk është Shpirti Shenjt, ai që ndryshon. Ndryshojnë ata, që e marrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.