2013-05-19 11:23:29

Papa u kujton lëvizjeve dhe grupeve shekullare, në Sheshin e Shën Pjetrit: feja dhe fati i njeriut kanë shumë më tepër rëndësi se bilanci i bankave


Të kenë guximin e fesë, të mos jenë të krishterë të kollarisur, të krijojnë kulturën e takimit, të ndihmojnë të afërmin, posaçërisht familjet, fati i të cilave ka shumë më tepër rëndësi se bilanci i bankave. Kështu mund ta përmbledhim shkurtimisht fjalën e Papës Françseku drejtuar mbrëmë rreth 200 mijë vetëve, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në kremtimin e Natës së Rrëshajëve, kushtuar Lëvizjeve, Bashkësive të reja, Shoqatave dhe Grupeve shekullare. Të forta edhe fjalët, me të cilat Papa kujtoi persekutimet kundër të krishterëve në botë: ka shumë më tepër martirë sot, theksoi, sesa kishte në shekujt e parë të jetës së Kishës.

Të paktën 150, realitetet e pranishme kishtare, të mirënjohura, por edhe të reja, të impenjuara në ungjillëzimin e ri. Ardhur nga të katër anët e botës, duke vërtetuar dhuratën e madhe, që Shpirti Shenjt i bëri Kishës këto 50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit. Ishte imzot Rino Fizikela, kryetar i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, ai që ia paraqiti Papës Sheshin plot me njerëz e me entuziazëm. Ajo që i mblodhi këtu, vijoi, është kërkimi i udhës më të përshtatshme për ta jetuar e për ta dëshmuar Ungjillin në botën e sotme.
Për këtë dëshmuan anëtarët e Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, të Lëvizjes së Fokolarëve, Celulat famullitare, Horizontet e reja, Bashkim e Çlirim, Neokatekumenalët e Shën Egjidi. Prekëse, dëshmia e Paul Bhatit nga Pakistani:
Në vendin tim të krishterët janë shumë pak e shumë të varfër. Shpesh pësojmë diskriminime e edhe dhunë... Por, si dishepuj të Krishtit, duam të jemi njerëz të paqes, të dialogut me vëllezërit tanë myslimanë e me besimtarët e feve të tjera. Duam ta dëshmojmë me dashuri e mëshirë besimin tonë në Jezusin. Kështu e dëshmoi edhe vëllai im më i vogël, Shahbaz Bhati, i cili dha jetën për Ungjillin”.
Më pas, disa dëshmi të tjera njerëzish, që patën besuar se Zoti nuk përkon me lirinë, por pastaj, në kërkim të vijueshëm, u bindën se pa Të jeta është krejt e zbrazët, se Hyji nuk është abstrakt, se të njohësh Krishtin, do të thotë të njohësh vetveten, të kuptosh kush je e të bëhesh njeri vërtet i lirë.
Në orën 17.30 arriti Papa Françesku. Për më se një gjysëm ore, xhipi i bardhë papnor përshkoi të gjitha skajet e Sheshit e edhe një pjesë të Rrugës së Pajtimit. Pastaj Papa u ngjit në treme dhe nisi dialogun, aq të pritur, me mijëra njerëzit e pranishëm. Nuk ishte fjalim i shkruar, por përgjigje e lirë, dhënë katër pyetjeve.
Pyetjes së parë: “Si arritët Ju, gjatë jetës suaj, ta fitoni sigurinë mbi fenë?”, Papa iu përgjigj:
“Kumtimin e parë të krishterë e mora nga gjyshja ime. Tejet e bukur, kjo, e! Kumti i parë në shtëpi, në familje, apo jo? E kjo më bën të mendoj për dashurinë me të cilën e kumtojnë fenë shumë nëna, shumë gjyshe. Fenë nuk e gjejmë në mënyrë abstrakte, jo: është gjithnjë dikush, që na e predikon, që na tregon kush është Jezusi, na e jep fenë, kumtimin e parë.... E kjo përvojë e fesë është e rëndësishme. Ne themi se duhet ta kërkojmë Zotin, të shkojmë tek Ai e t’i lypim falje. Po kur shkojmë tek Ai, e gjejmë duke na pritur. Është Ai i pari, që na pret. Ju folët për brishtësinë e fesë e pyetët ç’duhet bërë për të fituar mbi të. Armiku më i madh i brishtësisë, është guximi. Mos kini frikë. Jemi të brishtë, por e dimë këtë. Ashtu si e dimë edhe se Krishti është më i fortë”.
Si mund ta komunikojmë me sukses fenë sot, ishte pyetja e dytë:
Do të them vetëm tri fjalë. E para: Jezusi! Kush ka më shumë rëndësi? Jezusi! Nëse ne shkojmë përpara me organizata, me gjëra të tjera, me gjëra të bukura, po pa Jezusin, do të thotë se nuk shkojmë, se kjo nuk shkon. Fjala e dytë është lutja. Ta shikojmë fytyrën e Zotit, por sidomos, e kjo lidhet me atë që thashë më parë, ta ndjejmë se Ai na shikon. E treta është dëshmia”.
Pyetjeve: “Si mund të jetojmë në një Kishë të varfër, për të varfërit?” e “Ç’kontribut mund të japim për ta përballuar krizën e sotme", Papa Françesku iu përgjigj se kontributi i parë, që mund të japim, është ta jetojmë Ungjillin:“Kisha nuk është lëvizje politike, as strukturë e mirorganizuar, por, siç thotë Krishti, është kripë e tokës e dritë e botës, është e thirrur ta bëjë të pranishëm në botë tharmin e Mbretërisë së Hyjit; e këtë e bën, para së gjithash, me dëshmimin e dashurisë vëllazërore, të solidaritetit e të ndihmës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.