2013-05-18 16:53:37

Papa: shpërrallimet shkatërruese në Kishë, dizinformimi, përgojimi e shpifja janë mëkat.


“I krishteri duhet ta mundë tundimin që e shtyn të përzihet në jetën e të tjerëve”: kjo ishte porosia kryesore e Papës në Meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë theksoi se thashethemet e zilitë e këqija e dëmtojnë rëndë bashkësinë e krishterë.
“Po ty, ç’të duhet?”. Papa Françesku e nisi homelinë me këtë pyetje, që Jezusi ia pati bërë Pjetrit, mbasi ishte përzier në jetën e një tjetri, në jetën e Gjonit, atij, të cilin Jezusi e donte. Pjetri, nënvizoi Ati i Shenjtë, kishte dialog dashurie me Zotin, por pastaj dialogu dredhoi rrugë e kaloi në një binar tjetër. Pjetri nisi të tundohej, të ngatërrohej në punët e të tjerëve. Siç thuhet me një shprehje popullore, nisi të fuste hundët në punë, që nuk i takonin. Mund të ngatërrohesh në dy mënyra në punët e tjetrit, shpjegoi Papa. Mënyra e parë është prirja për t’u krahasuar me të tjerët. Kur nis ky krahasim, nuk mund të mos përfundojë në smirë, po smira e bren bashkësinë e krishterë, i bën shumë keq, sepse në të ka gisht vetë djalli. Mënyra e dytë e këtij tundimi, shtoi Papa Françesku, janë shpërrallimet. Nisin në mënyrë shumë të edukuar, po përfundojnë duke i hapur plagë tjetrit:
“Sa shpërrallohet në Kishë? Sa përgojojmë ne, të krishterët? Shpërrallim do të thotë ta gërricësh tjetrin. T’i bësh keq. Është si t’ia duash të keqen tjetrit, apo jo? Në vend që të rritem vetë, mundohem ta ul tjetrin, që të dal përmbi të. Kjo nuk shkon! Duket i bukur shpërrallimi… Nuk e di se pse, por kështu duket. Si karamelet me mjaltë, apo jo? Ti merr një e të duket shumë e ëmbël; prej këndej, merr edhe një tjetër, e një tjetër akoma e në fund nis e të dhemb barku. E pse? Kështu janë shpërrallimet, thashethemet: të ëmbla në fillim, e pastaj shkatrrimtare, të shkatërrojnë shpirtin. Thashethemet janë shkatrrimtare në Kishë, janë rrënim… Në ta është paksa shpirti i Kainit: mendimi për ta mbytur vëllanë, me gjuhë; për ta mbytur tënd vëlla”.
Nganjëherë gjuha është më e mprehtë se shpata; hap plagë më të thella, se plumbi i pushkës. Duke ecur në këtë rrugë, tha Papa, bëhemi të krishterë me sjellje të bukura, por me zakone të këqija. Por ç’do të thotë të shpërrallosh, të marrësh tjetrin nëpër gojë? Normalisht, sqaroi Papa, bëjmë tri gjëra:
“Dizinformojmë: themi vetëm gjysmën, që na leverdis e heshtim për gjysmën tjetër; nuk e themi, sepse nuk na leverdis. Disa qeshin… po kjo është më se e vërtetë, apo jo? Vjen mandej përgojimi: kur ndokush ka ndonjë të metë, kur bën ndonjë budallallëk, nisim ta tregojmë, të bëjmë gazetarin. E emri i mirë i këtij njeriu rrënohet! E treta është të shpifësh, të thuash gjëra të pavërteta. Kjo do të thotë ta vrasësh vëllain! Të trija: dizinformimi, përgojimi e shpifja, janë mëkat! Janë mëkat! Është njëlloj si t’i japësh një shuplakë Jezusit në bijtë e Tij, në vëllezërit e Tij”.
Ja pse Jezusi bën me ne, atë që pati bërë me Pjetrin, kur i tha: “Ty ç’të duhet?”, “Ti eja pas meje!”. Kështu Zoti na tregon rrugën, në të cilën duhet të ecim:
“Thashethemet nuk bëjnë mirë, çojnë në frymën e shkatërrimit në Kishë. Eja pas meje! Sa e bukur kjo fjalë e Jezusit, tejet e qartë, plot me dashuri për ne. Është njëlloj si të na thotë: “Mos u merrni me trillime, duke besuar se shpëtimi vjen nga krahasimi me të tjerët ose nga përgojimet. Shpëtimin e gjen duke ecur pas meje. Ta ndjekim pas Jezusin! T’ia lypim hirin, që të mos ngatërrohemi kurrë në jetën e tjetrit, të mos bëhemi të krishterë me sjellje të mira e zakone të këqija, ta ndjekim Jezusin, të shkojmë pas Tij, në rrugën e Tij, e kjo mjafton”.Gjatë homelisë, Papa kujtoi edhe një episod nga jeta e Shën Terezinës, që pyeste gjithnjë pse Jezusi dikujt i jep shumë e dikujt tjetër pak. E motra më e madhe, atëherë, mori një gishtëz e një gotë e i mbushi me ujë e pastaj e pyeti Shën Terezinën cila prej të dyjave ishte më plot. “Të dyja njëlloj”, u përgjigj shenjtorja e ardhshme. Kështu bën Jezusi edhe me ne, tha Papa, nuk i intereson je i madh apo i vogël. I intereson të jesh përplot me dashuri për Të!







All the contents on this site are copyrighted ©.