2013-05-18 18:37:54

Lëvizjet kishtare i presin Rrëshajët duke u lutur, së bashku me Papën Françesku


Kanë kaluar 15 vjet nga takimi i parë i madh i Gjon Palit II me lëvizjet, bashkësitë dhe shoqatat e reja laikale. Ishin të pranishëm shumë lëvizje, kryesuar nga themeluesit e tyre: don Gjuzani i Bashkim e Çlirim; Kiko Arguelo i neokatekumenalëve; Zhan Vanier i Arkës, Kiara Lubih e Lëvizjes së Fokolarëve e shumë të tjera. Me atë rast, ishte data 30 maj e vitit 1998, Papa i lum pati përcaktuar rolin e këtyre lëvizjeve në Kishë, duke përfunduar me fjalët: “Sot Kisha pret nga ju frytet e pjekura të bashkimit e të impenjimit”.
E frytet nuk munguan. E pasuruan Kishën me qindra takime të tjera masive, si ditët “Së bashku për Evropën” e me bashkëpunime të shumta për objektiva të përbashkëta, si mbrojtja e paqes, e jetës dhe heqja e dënimit me vdekje.
Benedikti XVI, duke ecur në hullinë e hapur nga i Lumi Vojtila, u takua me lëvizjet e reja kishtare natën e Rrëshajëve të vitit 2006 e, më pas, duke folur për to, theksoi: “Lëvizjet kishtare dhe bashkësitë e reja janë një nga risitë më të rëndësishme, të frymëzuara nga Shpirti Shenjt në Kishë për aktualizimin e Koncilit II të Vatikanit”.
Ndërsa sonte, takimi i ri me Papën Françesku.
Janë mbledhur më se 200 mijë vetë, në Sheshin e Shën Pjetrit për Ditën e lëvizjeve kishtare me temë: “Besoj, forcoje fenë tonë!”, organizuar në kuadrin e Vitit të fesë. Sheshi i Shën Pjetrit jetoi sot një ditë të jashtëzakonshme. Gjallëria nisi që heret në mëngjes. Qindra shtegtarë u gjunjëzuan tek Varri i Shën Pjetrit.
Ndërsa pasdite nisën dëshmitë e përfaqësuesve të lëvizjeve kishtare, njerëz që, përmes rrugëve të ndryshme të fesë, u takuan me Jezusin, panë Fytyrën e Krishtit. Në pritje të Papës, që arriti në Shesh me xhip, në orën 17. 30. Në orën 18.00 filloi Mbrëmësorja e lutjeve në solemnitetin e Rrëshajëve, kryesuar nga Papa Françesku. Është festa e Shpirtit Shenjt.









All the contents on this site are copyrighted ©.