2013-05-18 12:58:59

Kisha katolike dhe zgjedhjet për integrimin


Me Letrën e tyre për zgjedhjet e 23 qershorit që mban datën 8 maj 2013, por që vetëm dje u dorëzua për shtypin, duket se Ipeshkëvinjtë katolikë të Shqipërisë kanë dashur kësaj here t’u ikin toneve të përgjithshme e të ndalen në disa problematika të veçanta të zgjedhjeve. Një analizë të kësaj Letre nuk mund të mos e nis nga fundit i letrës, ku Ipeshkëvinjtë katolikë, në përkim edhe me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, i ngarkojnë politikës shqiptare përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit të vendit kandidat. Ndër shkaqet e kësaj vonese dallohen pikërisht te mosadministrimi i mirë i zgjedhjeve në të kaluarën dhe mosmarrëveshja për votimin e ligjeve të nevojshme për integrimin. Sigurisht mund të ketë dhe ka edhe shkaqe të tjera, por duket se këto dyja përbëjnë thelbin e këtij dështimi të politikës në Shqipëri. Në fakt Ipeshkëvinjtë janë në përkim të plotë me atë çka ata kanë thënë në Letrën Baritore me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në të cilën thuhet me forcë se e ardhmja politike e Shqipërisë është familja europiane.
Por për të shkuar drejt zgjedhjeve të pranueshme dhe të njohura prej të gjitha palëve, çka ka munguar në zgjedhjet e deritanishme, është shumë i nevojshëm identifikimi i disa dukurive negative që njollosin një proces zgjedhor. Këto pika të listuara në letrën e ipeshkëvinjëve janë rezultat sigurisht i një hulumtimi të kujdesshëm nga ana e tyre.
Së pari, Ipeshkëvinjtë duan të shkundin indiferentizmin e pjesëmarrjes në zgjedhje. Pjesëmarrja në jetën publike nëpërmjet votimit është një detyrë përveçse edhe një e drejtë. E ajo duhet të ushtrohet nga të gjithë, në veçanti nga të krishterët katolikë të cilëve më së pari u drejtohet kjo letër. Akuzat për karrierizëm, për idhujtari të pushtetit, për egoizëm dhe për korrupsion që u drejtohen politikanëve, nuk mund të justifikojnë mospjesëmarrjen në votime. Në fakt përvoja e këtyre viteve, që del në pah edhe nga biseda mjaft spontane me njerëz të zakonshëm, tregon se ka një indiferencë të madhe të njerëzve për pjesëmarrjen në votime. Shpesh kjo justifikohet me faktin se asgjë nuk do të ndryshojë në jetën e shqiptarëve. Ky është një lloj fatalizmi që ka nevojë të shkundet dhe vota sigurisht që mund ta shkundë.
Dukuria negative e shitblerjes së votës, si shitblerje e lirisë individuale, theksohet me forcë në këtë letër. Edhe këtu përvoja flet më shumë se çdo gjë tjetër dhe ipeshkëvinjtë kanë vendosur gishtin në një plagë të përhapur. Për ne që jemi çdo ditë në terren me njerëz, me të cilët flasim e bisedojmë, ky është një fenomen i përhapur e ka shumë gjasa të përsëritet. Nuk është i rastësishëm edhe fenomeni i kandidatëve biznesmenë, garancitë financiare për të hyrë në lista që kandidatët duhet të lënë pranë partive reciproke etj. Shitblerja e votës është shitblerje e dinjitetit të njeriut. Ai që e shet dhe ai që e blen janë të dy në borxh me vetveten dhe me tjetrin, përveçse me moralin. Të përfytyrojmë për pak çaste dikë që vjen në pushtet me një votë të blerë? Ai është i gatshëm që këtë votë të blerë ta rifitojë përsëri o në tendera, o duke u korruptuar, apo ç’është më e keqja, kur t’i shkojë ai “hallexhiu”, që ia ka shitur votën, për t’i qarë hall. Prandaj vota duhet të jetë e lirë e nuk mund të merret me para apo akoma më keq nën kërcënim sidomos për vendin e punës apo me premtimin e vendit të punës. Ja pse Ipeshkëvinjtë këmbëngulin që administrata të mos preket dhe të mos jetë e përfshirë në fushatën elektorale. Është absurde që të punësuarit në administratë në nivel lokal dhe të përgjithshëm janë të detyruar të marrin pjesë në mbledhjet e partive që i kanë futur në punë në të gjitha nivelet. Një tjetër fakt është përfshirja e fëmijëve, sidomos të shkollave të mesme, në fushatën elektorale. Edhe ky fenomen prej Ipeshkëvinjëve quhet një formë abuzimi.
Në këto vite është vënë re gjithashtu një lloj fryme negative me përdorimin e një gjuhe shumë të dhunshme në kohë fushatash, një gjuhë denigrimi, sidomos përdorimi i familjeve dhe çështjeve personale ndaj kundërshtarit politik. Kërkesa për një fushatë pozitive e cila mbështetet mbi programet dhe propozimet e jo mbi sharjet dhe fyerjet e kundërshtarit, përbën një shtyllë të standardit demokratik të zgjedhjeve. E gjithashtu, lidhur me këtë është administrimi i zgjedhjeve në të gjitha hallkat e tyre para, gjatë dhe pas votimeve. Fatkeqësisht, vënë re ipeshkëvinjtë, ka prirje për të manipuluar e penguar procesin zgjedhor.
Jam i bindur se ka edhe shumë gjëra që mund të thuheshin e të thuhen ende, por ipeshkëvinjtë kanë vënë theksin në gjërat më thelbësore e ndër ta dua ta përmbyll me dy aspekte të tjera të thëna në letër: pranimi i zgjedhjeve dhe i rezultatit si garanci e një parlamenti të ligjshëm dhe sidomos efikas për çuarjen përpara të reformave për demokratizimin e vendit që doli para 20 vjetësh nga diktatura më e egër komuniste në Europë. E gjithashtu, një parlament dhe një mazhorancë që të garantojë një qeveri të qëndrueshme për luftën ndaj korrupsionit që sikurse theksojnë ipeshkëvinjtë, është një plagë vdekjeprurëse për demokracinë shqiptare. Kjo plagë vazhdon të mbajë të ngërthyer për fat të keq jetën e vendit në shumë hallka të tij.
Votimi duhet të jetë i pjesëmarrë e kjo është një detyrë dhe e drejtë, por gjithashtu një detyrë dhe e drejtë është edhe votimi sipas ndërgjegjes. “Mos harroni – thonë drejt fundit Ipeshkëvinjtë katolikë në Letrën e tyre që do të lexohet në të gjitha kishat në ditën e nesërme – se vota juaj duhet të shkojë aty ku ju thotë ndërgjegjja dhe për ato programe që promovojnë vlerat më të mira njerëzore: të drejtat e pacenueshme të jetës, familjen dhe moralin, gur themeli për një shoqëri të shëndoshë.” Janë këto vlera që duhet të përbëjnë kriteret për një votim të lirë dhe sipas ndërgjegjes së të krishterëve në radhë të parë e sigurisht të të gjithë atyre që besojnë në këto vlera. Shumë sish që do të lexojnë deklaratën, ndoshta do të mundohen të gjejnë, më shumë se sa përgjegjësitë e veta, ato të të tjerëve. Kështu është, faji mbetet gjithmonë jetim. Por këtu është koha të reflektojmë të gjithë bashkë e kjo letër ofron një mundësi sado të vogël reflektimi për të mirën dhe të ardhmen e Shqipërisë që duam.

Gjergj Meta

Marrë nga gazeta “MAPO”, 18. 05. 2013








All the contents on this site are copyrighted ©.