2013-05-17 15:43:21

Papa Françesku: problemi nuk është të jesh mëkatar, por të mos pranosh të shndërrohesh nga dashuria e Krishtit.


“Problemi nuk është të jesh mëkatar; problemi është të mos e lësh veten të shndërrohesh nga takimi me Krishtin”: me këto fjalë mund ta përmbledhim shkurtimisht homelinë e sotme të Papës, gjatë Meshës, kryesuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Në kremtim morën pjesë disa punonjës të Radio Vatikanit.

Në qendër të homelisë, Ungjilli i sotëm, në të cilin Krishti e pyet Pjetrin tri herë rresht në se e donte. Është dialog dashurie ndërmjet Zotit e dishepullit, shpjegoi Papa Françesku, që përshkoi më pas, gjithë historinë e takimeve të Pjetrit me Jezusin: nga takimi i parë, kur Zoti shqiptoi atë ‘Eja pas meje!’, tek emri i ri ‘Do të quhesh Kefë, Pjetër, Shkëmb’, emër që përmblidhte vetë misionin e Kryeapostullit. E ndonëse Pjetri nuk kishte kuptuar gjë prej gjëje, misioni ishte, nënvizoi Papa. E më pas vijoi të kujtonte çastin kur Pjetri e pranon Jezusin si Krisht, por nuk e pranon aspak rrugën e kryqit, në sa Zoti i jep përgjigjen: “Larg meje, shejtan!”. E ai nuk guxon ta hapë gojën, për të protestuar. Pjetri, pohoi Papa, shpesh herë beson se është njeri i zoti. E tregon këtë ngjarja e Gjetsemanit kur, i ndezur flakë nga inati, shpërvjel shpatën për të mbrojtur Jezusin. E menjëherë pas e mohon tri herë rresht. E kur Jezusi ia ngul sytë e tij aq të bukur, vërejti Papa, Pjetri, faqenxirë, e qan me lot mohimin. Gjatë këtyre takimeve Jezusi e ndihmon Pjetrin të fitojë pjekurinë shpirtërore, pjekurinë e zemrës, të dashurisë. Kështu Pjetri, kur dëgjon se Jezusi e pyet tri herë: “Simon, Biri i Jonës, a më do?”, turpërohet, sepse i kujtohen tre mohimet e veta, tri herët, kur pohoi se nuk e njeh:
Pjetrit i erdhi keq, kur Krishti e pyeti për herë të tretë ‘A më do?’. I dhembi. U turpërua... Njeri i madh, ky Pjetri... mëkatar, mëkatar. Po Zoti e bën të kuptojë, atë e ne të gjithë, se jemi mëkatarë. Problemi nuk është të jesh mëkatar, problemi është të mos pendohesh për mëkatin, të mos kesh turp për atë, që bëre. Ky është problemi. E Pjetri e ka këtë turp, këtë përvujtëri, apo jo? Mëkati, mëkati i Pjetrit është fakt; por me zemrën e tij të madhe, e çon në takimin e ri me Jezusin, në gëzimin e faljes”.
Zoti nuk e braktis premtimin e vet, nuk e mohon atë, të cilin e kishte quajtur: “Pjetër, Shkëmb”. E tani i thotë: “Kullote grigjën time”, e ia lëshon në dorë grigjën një mëkatari:
“Pjetri vërtet ishte mëkatar, po jo i korruptuar, apo jo? Mëkatarë, po, të gjithë: të korruptuar, jo! Një herë mora vesh se një prift, një famullitar, që punonte mirë, u emërua ipeshkëv, e atij i vinte turp, sepse nuk e ndjente veten të denjë, e kjo e trazonte shpirtërisht. E u nis e shkoi te rrëfyesi. E rrëfyesi, pasi e dëgjoi, i tha: “Mos ki frikë. Nëse pas gjithë atij hukubeti, Pjetrin e bënë Papë, pse të mos ecësh edhe ti përpara. Kështu është Zoti! Zoti na ndihmon ta fitojmë pjekurinë pas shumë takimesh me Të, e na pranon, me gjithë ligështitë tona, kur e pranojmë, pavarësisht nga mëkatet tona...”.
Pjetri e lëshoi plotësisht veten në dorë të Zotit, që ta modelonte pas shumë takimesh me Të, e kjo, shtoi Papa, na duhet të gjithëve, sepse jemi në të njëjtën rrugë. Pjetri është njeri i madh, pohoi Ati i Shenjtë, jo sepse është i zoti, por sepse është i fisëm, ka zemër bujare, e kjo bujari e bën të qajë me lot, e bën të vuajë, të turpërohet e ta marrë në dorë grigjën, për ta kullotur, ashtu si e porosit Krishti:
“T’i lypim Zotit, sot, që ky shembull i jetës së njeriut, që takohet vazhdimisht me Zotin e Zoti e pastron, e bën më të pjekur me këto takime, të na ndihmojë edhe ne të ecim përpara, duke e kërkuar Zotin e duke e takuar, duke bërë takime me Të. E më shumë rëndësi ka ta lëmë Zotin të na takojë: Ai na kërkon gjithnjë, Ai është gjithnjë pranë nesh. Por shumë herë ne kthejmë kokën mënjanë, sepse nuk kemi dëshirë të flasim me Zotin, ose ta lëmë të na takojë. Ta takosh Zotin, po, por edhe më e rëndësishme, ta lësh të të takojë: ky është hir. Ja hiri, që na mëson Pjetri. Ta lypin sot këtë hir. E ashtu qoftë!”.











All the contents on this site are copyrighted ©.