Çelësi i fjalëve të Kishës: Koncili II i Vatikanit
Të dashur dëgjues, rubrika jonë ka arritur në emisionin e 183-të, pra udha që kemi
bërë së bashku është e gjatë, në përpjekjen për të kuptuar më mirë domethënieve e
fjalëve e të besimit të Kishës Katolike. Fillojmë sot një cikël për Koncilin II
të Vatikanit, i cili u mbajt nga 11 tetori i vitit 1962 deri më 8 dhjetor 1965,
në një periudhë kur në Shqipëri katolikët persekutoheshin nga regjimi komunist. Askush
nuk dinte për Koncilin, kur vendi ia hapi dyert fesë e dokumentet e tij janë përkthyer
e botuar në shqip vetëm kohët e fundit. Na duket pra e arsyeshme, që t’u kushtojmë
atyre vëmendjen e merituar, natyrisht në mënyrë shumë të shkurtuar e të përmbledhur,
për të kuptuar cilat janë risitë, që solli në Kishë Koncili II i Vatikanit, sidomos
në diskutimin mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes, debat shumë i dashur për Papën
e nderit Benedikti XVI. Edhe Viti i Fesë, që po kremtojmë, u shpall prej tij, pikërisht
në 50-vjetorin e Koncilit të madh ekumenik, me dëshirën për t’i nxitur të krishterët
të reflektojnë e t’i vënë në jetë këshillat e tij. Sot, pak histori… Janë të shumtë
ata, që mendojnë se feja është krejtësisht e kundërt me arsyen dhe e papajtueshme
me të. Arsyeja, karakteristikë kryesore e njeriut, nuk mund ta pranojë ekzistencën
e diçkaje, që i ikën aftësisë së saj për ta kuptuar e nuk mund të dëshmohet me prova
të mjaftueshme. Feja ka të bëjë me gjëra, që s’mund të shihen e të preken me dorë,
pra s’mund të verifikohen. Atëherë, nuk mjafton ç’marrim nga librat e nga mësuesit
për të besuar, duhet diçka që të na shndrisë, për të fituar mbi kundërshtimet e arsyes. Kisha
Katolike, me Koncilin II të Vatikanit, deshi pikërisht të gjente mënyra të reja për
ta transmetuar fenë, të cilat ta ngacmonin arsyen, që ajo ta lejonte Qiellin ta shndriste.
Siç e thamë, Koncili, i 21-ti i historisë së Kishës, u zhvillua ndërmjet viteve
1962-65, dashur fuqishëm nga Papa i atëhershëm Gjoni XXIII. Përgatitja e tij iu
besua 11 komisioneve, të cilat filluan punën në qershor 1960. Më 11 tetor 1962 u mbajt
seanca e përurimit, në të cilën morën pjesë 2450 etër konciliarë. Për herë të parë,
qenë të pranishëm vëzhgues të krishterë, jo katolikë. Në fjalën hyrëse, “Gaudet Mater
Ecclesia”, Gjoni XXIII shtjelloi synimet e Koncilit: transmetimi i përmbajtjes së
fesë njerëzve të shekullit XX. Kjo përmbajtje nuk duhet të ndryshojë, pati thënë Papa,
por duhet t’i përshtatet kohës, në një epokë kur vlerat shpirtërore e morale nuk kishin
më fuqinë e mëparshme. Mungesa e një plani të përgjithshëm dhe rezistenca e etërve
konciliarë në pranimin e vendimeve nga lart, bënë që më 8 dhjetor, pjesa e parë e
Koncilit të përfundonte pa miratimin e skemave të paraqitura nga komisionet përgatitore.
Ndërmjet viteve 1962-63 u mblodh një seksion i ndërmjetëm, gjatë të cilit u rihartuan
skemat. Me enciklikën e njohur “Pacem in terris” (prill 1963), Papa Gjoni XXIII mbrojti
idenë e lirisë së ndërgjegjes dhe të bashkëpunimit ndërmjet katolikëve e besimtarëve
të feve të tjera dhe vuri në diskutim idenë e ‘christianitas’, në një botë në të cilën
vendimet politike merreshin mbi bazën e direktivave të Kishës. Pas Gjonit XXIII,
zgjidhet në fronin e Shën Pjetrit Papa Pali VI, i cili vendosi ta vazhdojë Koncilin,
por me rend e metodë të re. Punimet rifillojnë në shtator 1963 e skemat reduktohet
nga 70 në 17. Me Kushtetutën “Sacrosantum Concilium” miratohet reforma e liturgjisë,
ndërsa me Dekretin “Inter Mirifica”, Kisha njeh vlerën e komunikimeve shoqërore. Përsa
i përket skemës mbi Kishën, vendoset që ajo të rishikohet. Ipeshkvi i Bryzhit,
imzot De Shmedt, pasi kritikoi botëkuptimin, sipas të cilit të gjitha fetë janë njësoj,
dhe indiferentizmin ndaj fesë, dha përkufizimin më të vërtetë të lirisë fetare:
ajo është e drejta e çdo njeriu të besojë në fenë, së cilës i përket sipas ndërgjegjes,
pa qenë viktimë e detyrimeve nga jashtë. Viti 1964 përfaqëson një periudhë
të tretë, karkaterizuar nga diskutimi për primatin pjetrin(pra, papnor) në raport
me të drejtat dhe dinjitetin e ipeshkvijve. Debati përfundoi më 21 nëntor, me miratimin
e Kushtetutës për Kishën “Lumen Gentium”, të Dekretit për Kishat lindore (Orientalium
Ecclesiarum), që njeh pluralizmin e Kishës Katolike në fushën liturgjike, disiplinore,
shpirtërore, dhe me miratimin e Dekretit për ekumenizmin “Unitatis redintegratio”. Në
emisionin e ardhshëm, do ta vazhdojmë të flasim për Koncilin II të Vatikanit, duke
kaluar në vitin 1965 e në takimin historik ndërmjet Patrikut ortodoks Atenagora dhe
Papës Pali VI.