2013-05-16 12:25:00

Papa: në Kishë na duhet entuziazmi apostolik, jo të krishterë sallonesh


Kisha ka nevojë për entuziazmin apostolik, që na nxit ta kumtojmë Ungjillin e Krishtit. Në meshën e mëngjesit, Papa Françesku u tha të pranishmëve në Kapelën e Shën Martës në Vatikan, të mos jenë të krishterë sallonesh, pa guxim. Leximet liturgjike i japin shkas Atit të Shenjtë ta përqendrojë homelinë në jetën e Shën Palit, Apostullit të Popujve, kaluar nga një persekutim në tjetrin, pa u çkurajuar:
“Pali jep bezdi: është njeri që, me predikimin e tij, me punën e me sjelljen e tij jep bezdi, sepse kumton Jezu Krishtin e ky kumtim e bezdis komoditetin tonë, i bezdis strukturat tona – edhe të krishtera, apo jo? Zoti do që ne të ecim gjithnjë përpara, përpara, përpara… Të mos fshihemi nën jetën e qetë e nën strukturat e kësaj bote, apo jo? Zoti ky… E Shën Pali, duke predikuar Hyjin, jepte bezdi. Por shkonte përpara, sepse kishte në vetevete atë karakteristikë kaq të krishterë, që është zelli apostolik. Kishte entuziazmin apostolik. Nuk ishte njeri i kompromiseve. Jo! Të vërtetën: përpara! Kumtimin e Jezu Krishtit: përpara!”
Natyrisht, shpjegoi Papa, Shën Pali ishte njeri i zjarrtë, por nuk është fjala vetëm për temperamentin. Zoti merr pjesë në këtë betejë, e nxit, e shtyn përpara të japë dëshmi edhe në Romë:
“Në parantezë, më pëlqen që Zoti shqetësohet për këtë dioqezë që nga ajo kohë… Jemi të privilegjuar! E zelli apostolik nuk është entuziazëm për pushtet, për pasuri. Është diçka që vjen nga brenda, që vetë Zoti e do prej nesh… E nga vjen ky zell apostolik? Vjen nga njohja e Jezu Krishtit. Shën Pali gjeti Krishtin, e takoi, por jo me anë të vetëdijes intelektuale, shkencore – që gjithsesi është e rëndësishme, se na ndihmon – por me vetëdijen parësore, atë të zemrës, të takimit personal”.
Shën Pali ka gjithnjë probleme, por nuk shkon t’i kërkojë, i vijnë për shkak të Jezusit. Zelli apostolik duket si çmenduri, por është “çmenduri” e shëndoshë, shpirtërore. Papa Françesku i vuri përballë sjelljen e të krishterëve të vakët, të paaftë të ecin përpara:
“Ka edhe të krishterë sallonesh, apo jo? Të edukuar, gjithçka mirë, por nuk dinë t’i japin Kishës bij me entuziazëm apostolik. Sot, t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na japë këtë entuziazëm, të na dhurojë hirin që t’u japim bezdi gjërave pak si tepër të qeta në Kishë; hirin të ecim përpara drejt periferive ekzistenciale. Kisha ka shumë nevojë për këtë! E jo vetëm në toka të largëta, në Kisha të reja, në popuj që nuk e njohin Krishtin, por edhe këtu, në këtë qytet, kanë nevojë për kumtimin e Ungjillit të Jezusit. Pra, t’ia kërkojmë Shpirtit Shenjt të kemi të krishterë me zell apostolik. E nëse bezdisim, bekuar qoftë Zoti. Përpara, siç i thotë Hyji shën Palit: ‘Guxim!’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.