2013-05-16 14:54:18

Papa: etika u jep bezdi adhuruesve të parasë, por të mos e ndash pasurinë me të varfërit, do të thotë t’i zhvatësh


Të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur, ndërsa shumica varfërohet: ky ishte denoncimi i Papës Françesku në fjalimin, që u mbajti ambasadorëve jo rezidentë pranë Selisë së Shenjtë, që paraqitën sot letrat kredenciale në Vatikan. Janë nga Kirgizistani, Antigua e Barbuda, Dukati i Madh i Luksemburgut dhe Botsvana. Kërkesat e njeriut, nënvizoi Papa, janë reduktuar në një: konsumi:
“Vetë njeriu konsiderohet si mall për konsum, që mund të përdoret e pastaj të hidhet. Kemi hyrë në kulturën e mbeturinave”.
Është kultura e atyre, që promovojnë autonominë absolute të tregut dhe spekullimin financiar. Ati i Shenjtë denoncoi me forcë korrupsionin kapilar, mospagimin egoist të taksave, shtimin e borxhit publik e largimin nga ekonomia reale. Papa Françesku foli për një dëshirë pa kufi për pushtet e pasuri, duke e krahasuar me adhurimin e viçit të artë në Bibël. Është mohimi i primatit të njeriut, theksoi më pas. Paraja duhet të shërbejë e jo të qeverisë:
“Pas kësaj sjelljeje fshihet refuzimi i etikës, refuzimi i Zotit. Njëlloj si solidariteti, etika jep bezdi! Konsiderohet jo prodhuese, pak si tepër njerëzore… kërcënim, sepse refuzon manipulimin dhe nënshtrimin e personit… Sepse etika të çon te Zoti, që është jashtë kategorive të tregut… Hyji nuk administrohet, është madje i rrezikshëm, sepse e nxit njeriun drejt realizimit të plotë e drejt pavarësisë nga çdo lloj skllavërie”.
Papa, tha për veten Horhe Mario Bergolio, i do si të varfërit, ashtu edhe të pasurit, por e ka për detyrë t’u kujtojë të pasurve se duhet ta ndihmojnë të varfërin, ta respektojnë e ta promovojnë:
“Etika – një etikë jo ideologjike, natyrisht – mundëson krijimin e një ekuilibri e të një rendi shoqëror më njerëzor. …inkurajoj ekspertët e financës e qeveritarët e vendeve tona të marrin parasysh fjalët e shën Gjon Gojartit: Të mos e ndash me të varfërit pasurinë, do të thotë t’i zhvatësh, t’u marrësh jetën. Ai që zotërojmë, nuk është malli ynë, por i tyre”.
Papa i ftoi të gjithë politikanët t’i luten Zotit t’i frymëzojë planet e tyre, duke synuar krijimin e një mendësie të re politike dhe ekonomike, për ta shndërruar dikotominë absolute ndërmjet sferës ekonomike e asaj shoqërore, në bashkëjetesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.