2013-05-16 16:48:35

Mesha e imzot Rrok Mirditës në elterin e Gjon Palit II në baziliken e Shën Pjetrit në Vatikan


Sot më 16 maj, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kryeipeshkvi i kryedioqezesë së Tiranë-Durrës, imzot Rrok Mirdita shtegtoi pranë varrit të të Lumit Gjon Pali II. Në kapelën e Bazilikës së Vatikanit ku gjendet trupi i të Lumit Wojtila, imzot Mirdita kremtoi Meshën Shenjtë, në shenjë falënderimi Hyjit për dhuratën e urdhrit ipeshkëvnor, të cilin e mori, nga duart e të Lumit Wojtila, para 20 vjetësh, në Katedralen e Shkodrës, gjatë vizitës historike të Papës Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993.
Në Meshë me kryeipeshkvin imzot Mirdita bashkëkremtuan shumë meshtarë e rregulltarë shqiptarë, ishte i pranishëm Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Sh.T. zoti Rrok Logut, Ambasadorë të disa Vende të akredituar pranë Vatikanit, një numër i madh motrash rregulltarë shqiptare e besimtarë shqiptarë e tjerë disa. Gjatë homelisë së kremtimit Eukaristik, ipeshkvi i kryeqytetit të Shqipërisë kujtoi Kishën dhe popullin shqiptar të shumëvuajtur, e pati fjalë të përzemërta e plot emocione, po ja fjalët që tha gjatë homelisë:

Të dashur vëllezër në episkopat
Zotërinj ambasadorë
Të dashur vëllezër në meshtari, rregulltarë e rregulltare
Të dashur vëllezër e motra,
Më 25 prillin e kaluar kremtuam në Tiranë, 20-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri. Sot, Zoti na jep hirin për ta kremtuar këtë Eukaristi në elterin, nën të cilin gjendet urna e Papës së Lum. Jemi në kohën e Pashkëve e na shoqëron posaçërisht imazhi i Krishtit të ringjallur, Bariu i amshuar që kthehet fitimtar nga ferri, së bashku me delen e rigjetur, shkëputur nga vdekja e përjetshme e kthyer në jetë. Feja në Bariun e amshuar na nxit ta mprehim shikimin e të shohim përtej misterit të vdekjes, lavdinë e të shëlbuarve. Është e lehtë të vërejmë në radhën pa fund të të lumëve, tiparet e një njeriu të kohës sonë, plotësisht i lidhur me Bariun e amshuar, aq i lidhur, sa t’i ngjajë krejtësisht: është i Lumi Gjon Pali II.
Ta prekësh sot këtë elter është si të prekësh një copë Parajse. Kjo përvojë bëhet edhe më mallëngjyese për mua e për disa prej nesh, nëse kujtojmë atë ditë të bekuar të 20 vjetëve më parë, kur Pasardhësi i Shën Pjetrit shkeli mbi tokën shqiptare, u shtrëngoi duart burrave e grave në kërkim të shpresës e shqiptoi fjalë ngushëllimi e inkurajimi, fjalë feje e jete.
Atë ditë, bariu i Kishës universale, ardhur në Shqipëri në emër të Bariut të amshuar, shuguroi katër ipeshkvij, për të qenë barinj të një Kishe, martirizimi i së cilës nuk kishte të dytë në histori. Dua të kujtoj me këtë rast, në këtë elter, martirët e Kishës në Shqipëri, si edhe tre ipeshkvijtë që u shuguruan me mua nga Gjon Pali II e që sot janë në Parajsë. Ndërsa i kujtojmë, u lutemi atyre të kujtohen për Shqipërinë, për popullin tonë, për Kishën tonë.
Udha e këtyre viteve ka qenë e pasur me fryte, por edhe me vështirësi. Shndërrimi i shpejtë i shoqërisë na vë përpara sfida të reja, që mund të përballohen vetëm duke e risuar fenë, atë fe, për të cilën martirët mbeten dëshmitarë të privilegjuar e së cilës, i Lumi Gjon Pali II i shërbeu deri në fund. Ajo fe, që na bën të vetëdijshëm se ai është Bari i mirë e, se në Kishë jemi barinj vetëm kur i udhëheqim njerëzit drejt Bariut të vetëm.
Në Të na është dhënë bashkimi e jo jashtë Tij. Bashkimi i Kishës përmendet me forcë nga Jezusi në Ungjillin e sotëm. Në leximin që dëgjuam, Jezusi i lutet Atit “Që të jenë një gjë e vetme!”. “Ut unum sint” është edhe motoja ipeshkvnore, që zgjodha 20 vjet më parë. Uniteti i Kishës është dëshirë e Krishtit e duhet të jetë edhe dëshira jonë. Bashkimi fillon kur e dëshirojmë atë. Ai nuk është fryt i marrëveshjeve njerëzore, i përkimit të interesave, i planeve të përbashkëta. Nëse do të ishte kështu, do të ishte shumë i brishtë. Bashkimi është dhuratë për t’u kërkuar me fe e për t’u pranuar me shpirt të hapur e me përvujtëri. Nuk jemi ne autorët e bashkimit, por Krishti. Nëse na mungon bashkimi, do të thotë se na mungon Krishti e një Kishë, së cilës i mungon Krishti, nuk mund t’i flasë me besueshmëri njeriut. Prandaj mbetet gjithnjë aktuale për Kishën e për botën, thirrja me të cilën Papa Gjon Pali II përuroi papninë e vet: “Hapjani portat Krishtit!”
Sot, do të doja të luteshim veçanërisht për Shqipërinë, që Kisha e tokës sonë, barinjtë dhe i gjithë populli t’ia hapin portat Krishtit. Dua t’i lutem të Lumit Gjon Pali II, së Lumes Nënë Terezë dhe martirëve tanë t’i ndihmojnë nga qielli laikët në fushën e vështirë të botës, të na dërgojnë thirrje të shenjta për meshtari e për jetën rregulltare e t’i dhurojnë Kishës sonë barinj e ipeshkvij siç i do zemra e Zotit.
Mbi këtë elter kushtuar njëri prej Pasardhësve të Shën Pjetrit e në këtë Bazilikë ndërtuar mbi varrin e kryeapostullit, dua të rinovoj dashurinë e Kishës në Shqipëri për Papën Françesku e ta kujtoj me mirënjohje Papën e nderit Benedikti XVI. Bashkimi i thellë me Papën është shprehje konkrete e bashkimit në Kishën e Krishtit.
Nëna e Krishtit, kaq e dashur nga i Lumi Gjon Pali II, na ndihmoftë në udhën tonë. Amen.
Mesha e imzot Rrok Mirditës në elterin e Gjon Palit II
Bazilika e Shën Pjetrit, 16 maj 2013







All the contents on this site are copyrighted ©.