2013-05-16 06:39:56

Mbledhja plenare e Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët


Javën e ardhshme, nga 22 deri më 24 maj, në Romë do të mbahet mbledhja plenare e Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët, me temë: “Kujdesi baritor i Kishës, në rrethanat e emigrimeve të detyruara”. Diskutimet do të orientohen nga dokumenti “Të mirëpresësh refugjatët dhe njerëzit e detyruar të emigrojnë, do të thotë të mirëpresësh Krishtin”, hartuar nga dikasteri për emigrantët, në bashkëpunim me Këshillin Papnor Cor Unum.
Ftuam në mikrofonin tonë kardinalin Antonio Maria Veliò, kryetar i dikasterit vatikanas për emigrantët dhe endacakët:

Pyetje: - Pse vendosët t’ua kushtoni emigrimeve të detyruara Plenaren tuaj 2013?

Përgjigje: - Sepse fenomeni i emigrimeve të detyruara në dhjetëvjeçarët e fundit është bërë shumë i ndërlikuar e shumë i përhapur. E zgjodhëm këtë argument për Plenaren e këtij viti, pikërisht për t’iu përgjigjur misionit të Këshillit tonë, që ndihmon Atin e Shenjtë në kujdesin baritor për njerëzit më të ligshtë e më të pambrojtur. Në këtë rast, kemi parasysh refugjatët, njerëzit pa nënshtetësi, të shpërngulurit për shkak të fatkeqësive të shkaktuara nga natyra ose nga njeriu, të ikurit nga katastrofat kimike e bërthamore, nga uria e nga lufta. Këtyre njerëzve duhet t’u shtojmë viktimat e tregtisë, me synime shfrytëzimi seksual ose pune të detyruar, pa harruar këtu edhe fëmijët ushtarë. Pothuajse gjithnjë bëhet fjalë për situata në të cilat shkelen rëndë të drejtat themelore të njeriut.

Pyetje: - Cilat janë porositë ekzistuese të Magjisterit, lidhur me këtë temë e pse duhen azhurnuar?

Përgjigje: - Orientimet baritore të Magjisterit të Kishës karakterizohen gjithnjë nga synimi i kujdesit parësor për njeriun e për zhvillimin e tij të gjithanshëm. Në fushën e lëvizjes njerëzore, Kisha mendon se njeriu mund ta zgjedhë vullnetarisht rrugën e emigrimit, por jo të detyrohet për t’u larguar nga toka e vet. Emigrimi duhet të jetë takim popujsh e kulturash, jo ndeshje qytetërimesh; forcë pozitive për zhvillimin e pjesëmarrjen, jo përjashtim.
Më 1992 dikasteri ynë, në bashkëpunim me Këshillin Papnor Cor Unum, hartoi një dokument-bazë, titulluar “Refugjatët, sfidë solidariteti”. Tani ka ardhur koha të rishikohet e të thellohet ky tekst, duke e pasuruar me reflektime të reja, që e aktualizojnë mendimin dhe veprimtarinë e Kishës.
Azhurnimi i parë ka të bëjë me kuadrin e lëvizjeve të sotme të detyruara, me përmasa e tone dramatike, që nuk mund të ndiqen me indiferencë. Prandaj gjëja e parë është ta njohësh fenomenin. Pastaj duhen denoncuar zbraztësitë dhe dyanshmëria e mjeteve, që i hartuan edhe po i zbatojnë bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet kombëtare, për parandalimin dhe kundërshtimin e emigracionit.
Së fundi, është e nevojshme të përsërisim edhe një herë se nxitja e përmasës ndërkulturore, është udha parësore që mund të përshkojnë sot shoqëritë, për ndërtimin e një familjeje të vetme popujsh, e thirrur të jetë një e vetme, me të gjitha larmitë e veta. Për ta bërë këtë, duhen rimenduar parimet e demokracisë, barazia e të drejtave dhe e detyrave, liria fetare, politikat ndaj emigrimeve humanitare, solidariteti e ndarja e përbashkët e pasurive të tokës, me vetëdijen se e gjithë kjo u krijon shoqërive bashkëkohore rastin për të vendosur mbi cilat vlera duan të bazohen e cilat meritojnë t’u lihen trashëgim breznive të ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.