2013-05-15 14:14:24

Terrorizëm në Afrikë. Imzot Çulikati në OKB: “Fyerje e rëndë për gjithë njerëzimin”


Plagës së terrorizmit duhet t’i përgjigjemi me solidaritetin ndërmjet kombeve e me impenjimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për të mbrojtur jetën e për të promovuar të drejtat themelore të njeriut. Është thirrja e imzot Frensis Çulikat, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, lexuar të dielën gjatë debatit të Këshillit të Sigurimit për terrorizmin në Afrikë.
Duke kujtuar sulmin e pakuptimtë kundër kishës së shën Jozefit në Arushë të Tanzanisë, imzot Çulikat vërejti se “aktet e terrorizmit përbëjnë fyerje kundër gjithë njerëzimit”. Selia e Shenjtë dënon me forcë çdo lloj terrorizmi, tha ai, në veçanti, manipulimin e fesë për të justifikuar masakrimin e njerëzve të pafajshëm. Dhuna në emër të fesë, nënvizoi kryeipeshkvi, duke cituar Benediktin XVI, është e kundërta e fesë e madje, kontribuon në rrënimin e plotë të saj.
Imzot Çulikat u kërkoi të gjithëve, por sidomos mediave, të mos heshtin para akteve të terrorizmit në Afrikë. Bashkësia ndërkombëtare, nënvizoi ai, duhet të punojë, që të arrijnë të gjitha mjetet e nevojshme për të mos e lejuar terrorizmin të gjejë mbështetje në terren. Në fund, kryeipeshkvi kujtoi fjalët e Papës Françesku, për ta kundërshtuar të keqen me të mirë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një shoqëri gjithnjë e më të drejtë, më të lirë e më të sigurtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.