2013-05-15 16:12:34

Kryeipeshkvi i Rios ia kushton DBR-në Zojës së Fatimës.


Kryeipeshkvi i Rio-de-Zhanéjros, imzot Orani João Tempesta, ia kushtoi Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet nga 23 deri më 28 korrik, në qytetin Brazilian, Zojës së Fatimës. Kushtimi u kremtua të hënën e kaluar, në Fatima të Portugalisë, në festën e Zojës së Fatimës. Në aktin e kushtimit, prelati ia porositi ndërmjetësimit të Virgjërës Mari gjithë të rinjtë, posaçërisht ata, që vuajnë, që janë viktima të dhunës e të braktisjes, të papunët e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë. Në Kova da Iria, vend ku Zoja iu duk tre barinjve, kryeipeshkvi lypi edhe ndërmjetësimin për Komitetin organizator si dhe për vullnetarët, që kanë nisur prej kohe punën për përgatitjen e takimit të madh rinor në Rio. “Të lutemi, që Dita Botërore e Rinisë të jetë përvojë e jashtëzakonshme e takimit të të rinjve me Jezusin, tha imzot Tempesta. E që ky takim i të rinjve me Krishtin, të shërbejë për të formuar dishepuj e misionarë të vërtetë të Zotit, në një shoqëri që vijon të ndërrojë fytyrë çdo çast”.







All the contents on this site are copyrighted ©.