2013-05-14 11:35:49

Patriku ekumenik Bartolomeu I me kardinalin Scola kujtojnë Ediktin e Milanos


Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I sot është në Milano ku u prit nga kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i kësaj kryedioqeze të lashtë ambroziane. Vizita historike e Patrikut ekumenik të Kostandinopojës është çasti qendror i nismave të organizuara nga dioqeza e Milanos për kremtimin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos e fillimit të lirisë fetare në Perëndim. Vizita fillimisht qe programuar për 20 e 21 mars e pastaj u shty pas dorëheqjes nga misioni pjetrit paraqitur nga Papa Benedikti XVI e mbajtja e Konkalvit.
Patriku Bartolomeu I gjendet në Milano me ftesë të kardinalit Scola pas takimit të përzemërt që pati me Papën Françesku më 20 marsin e kaluar. Patriku Bartolomeu I (Dimitrios Archontonis lindi më 29 shkurt 1940 në ishullin Imbro në Turqi) është zgjedhur më 22 tetor 1991 nga Sinodi i Shenjtë Kryeipeshkëv i Kostandinopojës e Patrik ekumenik. Patrikana ka selinë e vet në Stamboll, Bizantin e lashtë, të cilin më 330 Kostandini e rithemeloi si “Romën e re” e që mori emrin e Kostandinopojës. Si seli ipeshkëvnore Kostandinopoja qe ngritur në Patrikanë nga Koncili Kishtar i Efezit në vitin 431 pas Krishtit dhe qe vatër e krishterimit të lashtë të Lindjes. Patriku ekumenik ka vendin e parë të nderit pranë Kishave Ortodokse: si primus inter pares ndërmjet Patrikëve lindor është pik referimi e bashkimit të Kishave ortodokse.
“Takimi i Milanos ndërmjet Patrikut Bartolomeut I e kardinalit Scola në njërën anë kremton përvjetorin historik, por në anën tjetër propozon në realitetin e sotëm energjitë që në shekullin e IV feja e krishterë pati përhapë e dhënë pa kursim për të ndihmuar njeriun në kërkimin dhe gjetjen e së mirës së tij e të lumturisë së tij – njofton në një deklaratë kryedioqeza e Milanos – , prandaj të propozosh besimin e krishterë në një moment të ndryshimeve kulturore siç jemi duke përjetuar sot, kërkon prej të krishterëve dijen dhe aftësinë për të nxjerr nga feja jonë energji po aq të reja e të freskëta për të ndihmuar kurdoherë njeriun në udhën e jetës së tij drejt lirisë e së vërtetës. Ky takim për ne është shumë i rëndësishëm edhe për faktin e përbashkët të nderimit që vëllezërit ortodoksë kanë për Kostandinin, të cilit i njohim mangësisë e mëkatet, por edhe meritën që ka për ndihmën që i dha Krishterimit për t’u rritur”.
E kujtojmë se edhe Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë ka shënuar 1700-vjetorin e Ediktit të Milano me një simpozium shkencor ndërkombëtar, organizuar më 27 prill në Tiranë me temë: Kostandini: 1700 Vjetori i Ediktit te Milanos dhe Liria Fetare”. Mbi vlerën që ka ‘liria fetare’ në shoqërinë shqiptare e marrëdhëniet ndërmjet bashkësive fetare e Shtetit, të dëgjojmë jezuitin Atë Mario Imperatori, drejtor i Institutit të Filozofisë e të Teologjisë, profesor i dogmatikës dhe i historisë së Kishës pranë Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.