2013-05-14 09:56:01

Nga Benedikti tek Françesku. Në një libër të atë Spadaros, vazhdimësia e jashtëzakonshme ndërmjet dy Papëve.


Kaluan dy muaj nga zgjedhja e Papës Françesku, dy muaj plot fryte e, në shumë drejtime, edhe të jashtëzakonshme për jetën e Kishës, e jo vetëm. Pikërisht me rastin e kësaj ngjarjeje, doli në librari vëllimi “Nga Benedikti, tek Françesku”, shkruar nga drejtori i revistës ‘Civiltà Cattolica’, atë Antonio Spadaro, botuar nga Lindau. Atë Spadaro, në mikrofonin e Radio Vatikanit, shpjegon ç’e shtyu për ta shkruar këtë libër:
Përgjigje: - E shkrova këtë libër, sepse kisha nevojë të kuptoja; të kuptoja ç’po ndodhte, ngaqë i jetova këto ngjarje drejtpërdrejt, si drejtor i Civiltà Cattolica. E ndoqa, për revistën time, gjithë ngjarjen: nga dorëheqja e Benediktit XVI, tek Konklavi e deri tek zgjedhja e Papës Françesku. Kështu, në fund, mora shënime për gjithçka, por desha ta pasqyroj ngjarjen edhe subjektivisht, ashtu si e ndjeva unë vetë, si i jetova këto ngjarje, në mënyrë shumë personale. Pra mund të them se është ditar, shkrim i gatuar flakë për flakë, në valën e ngjarjeve, me emocione të freskëta.

Pyetje: - Periudha nga dorëheqja e Benediktit XVI deri në zgjedhjen e Françeskut, është, siç nënvizohet në libër, ‘e pabesueshme’. A mund të gjindet një çelës intepretimi, për të deshifruar a për të rrokur kuptimin e kësaj vazhdimësie të jashtëzakonshme?

Përgjigje: - Besoj se po. Besoj se kjo vazhdimësi përmblidhet në fjalët me të cilat Benedikti XVI kumtonte dorëheqjen e tij. Çelësi i interpretimit, besoj, janë ndryshimet e botës bashkëkohore e ato, që Benedikti XVI i quante “sfidat me peshë më të rëndë për fenë”, të cilat kërkojnë më shumë energji. Periudha nga 11 shkurti, deri më 13 mars, që pasqyrohet në librin tim, flet për një Kishë plot gjallëri, “semper reformanda”, domethënë për t’u reformuar vazhdimisht. Papa Françesku po e korr frytin e dëshmisë së Benediktit XVI me energji të reja, siç po e shikojmë, e pikërisht në perspektivën e reformës.

Pyetje: - Libri përshkohet nga kreu deri në fund, prej ‘optimizmit realist’, formulë që kujtohet disa herë. Sipas jush, është ky mesazhi i kalimit të dëshmisë nga Benedikti XVI tek Françesku, vazhdimësi që, për më tepër, inkuadrohet pikërisht në Vitin e fesë?

Përgjigje: - Po, absolutisht; e këtu dallohet një nga mesazhet e “jezuiticitetit” të Papës Françesku, që përpiqem ta nxjerr në dritë në pjesën e dytë të librit. Përshpirtëria e jezuitëve është ’realizëm optimist’, sepse bazohet mbi kërkimin dhe gjetjen e Zotit në të gjitha sendet, në të gjitha situatat, siç thoshte vetë Shën Injaci, e siç e ka thënë disa herë edhe Papa Françesku. “Zoti jeton në botë e na shtyn të dalim në takim me Të, për ta zbuluar”; madje, në një intervistë Papa pohon edhe se duhet ‘ta shoqërojmë Zotin’ gjatë rritjes së Tij në botë. Prej këndej mund të themi se, pavarësisht nga gjithë dhimbja e nga gjithë problemet e botës, për Papën Bergolio është pikërisht bota jonë, realiteti ynë, vendi ku vepron Zoti, prandaj nuk mund të jemi pesimistë.

Pyetje: - Ju shkruani se Zoti i Bergolios është Deus semper maior i Shën Injacit të Lojolës, prej këndej, “Zoti i të papriturave’. Sigurisht befasitë nuk kanë munguar në këto dy muajt e Papës Françesku. Një reflektim për këtë...
Përgjigje: - Zoti na befason gjithnjë, ka thënë Papa Françesku. Një herë, në një nga meditimet e tij kushtuar Jonës Profet, tha se Zoti vërshon në jetë si përrua i rrëmbyer. Pra, Zoti na e kalon gjithnjë, është gjithnjë më i madh se ne, se mënyra jonë e të menduarit, mënyra jonë e të përfytyruarit. Përsa u përket, pastaj, të papriturave të këtyre dy muajve, besoj se burojnë nga aftësia komunikative e Papës: Papës i pëlqejnë më shumë gjestet, që shprehin afërsi, se sa ato, që shprehin distancë, duke përfshirë këtu edhe përqafimet, të cilat tregojnë shumë aftësi për ta kuptuar plotësisht gjendjen shpirtërore të tjetrit, shumë dëshirë për të ndarë me tjetrin të mirën e të keqen. Shihet qartë edhe se vështrimi i tij nuk i drejtohet masës, por njerëzve të veçantë, të cilëve ua ngul sytë me shumë vëmendje; e pikërisht kjo është forma më e natyrshme për të, më e përshtatshme për të kumtuar Ungjillin, domethënë për të bërë të perceptohet, siç tha në një nga homelitë e tij, se Zoti na do shumë, se është i tëri dashuri. Në fund të fundit mund të themi se kjo është befasia e vërtetë, që Papa vijon të kumtojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.