2013-05-14 11:01:54

Kardinali Turkson: financa duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët. Në BE, sjellje nacionaliste prej miopësh


Shtetet dhe organizatat shumëkombëshe duhet të bashkëpunojnë për të krijuar një sistem financiar, që t’i shërbejë së mirës së përbashkët. Kështu foli kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson në seminarin “Bankat për të mirën e përbashkët, financa për të mirën e përbashkët”, që u zhvillua këto ditë në Romë. Bankierë, afaristë dhe ekonomistë e kanë kuptuar tashmë se duhet punuar për një shpërndarje më të mirë të pasurisë në botë, por nuk janë të gjithë një mendje për mënyrat se si duhet bërë kjo.RealAudioMP3
Vlera e susidiaritetit, pra e ndërhyrjes vetëm aty ku ka nevojë, nuk mund të diskutohet, theksoi kardinali Turkson, i cili vërejti se solidariteti evropian, fatkeqësisht, nuk është më në nivelet e mëparshme. “Afirmohen – pohoi ai – sjellje nacionaliste prej miopësh, që vënë në rrezik projektin e Bashkimit Evropian”. E kardinali është edhe kundër planeve të stërmëdha, të destinuara të dështojnë, pasi nuk marrin parasysh sensibilitetin e njerëzve në çdo vend. Hapat duhet të jenë të vogla, por të vazhdueshme, nënvizoi kardinali Turkson:
“Duhet të përpiqemi të arrijmë në rrënjët e krizës. Prandaj, sipas nesh, do të ishte ideale të fillohej me mbikqyrjen e një vendi, të sistemit bankar të tij; pastaj, dalëngadalë, zgjerohemi e bashkojmë gjithçka. Gjithë përnjëherë është pak e vështirë”.
Firmat e mëdha, u tha në seminar edhe nga eksponentë të tjerë, nuk duhet t’i inkurajojnë me shpërblime ata drejtues, që i nxisin qëndrimet sipërfaqësore, pa shkuar në thelb të problemeve, duke përjashtuar kështu, zgjidhjen përfundimtare të tyre. Sipas presidentit të degës evropiane të Organizatës Ndërkombëtare të Afaristëve të Krishterë, Burkhard Lefers, duhet vazhduar respektimi i rregullave të rrepta:
“Nuk më pëlqen aspak ç’po bën në këtë moment Komisioni Evropian, i cili u jep afat dyvjeçar për manovrime Spanjës, Francës dhe vendeve të tjera. Mendoj se duhet të zbatojmë një politikë më të rreptë e para së gjithash, të sistemojmë financat publike, pavarësisht nga sakrificat e tensioni shoqëror. Shoh rrezikun e dhënies së dy vjetëve, pastaj të dy vjetëve të tjera, e kështu me radhë në një proces pa fund. Historikisht, borxhi i qeverive është rritur gjithnjë”.
Nga ana tjetër, ekonomisti italian Luigji Beketi është i bindur se duhet bërë më shumë për zhvillimin:
“Edhe Evropa duhet ta kuptojë se sot, nuk ekziston rreziku i inflacionit në globalizim, prandaj duhet të ofrojë më shumë monedhë, që paratë t’u arrijnë drejtpërdrejt familjeve dhe ndërmarrjeve e jo vetëm bankave”.
Objektivi i ekonomisë botërore, ashtu siç pranojnë tani edhe specialistët, është të ndihmojë të varfërit, të garantojë paqen, të respektojë ambientin. Tre koncepte, që e nxitën Papën aktual të zgjidhte emrin e Françeskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.