2013-05-13 14:25:52

Iu paraqit Papës Vjetari Papnor 2013: Kisha Katolike rritet, sidomos në Afrikë e në Azi


Numri i katolikëve në botë shtohet, sidomos në Afrikë e në Azi, ndërsa në Evropë vazhdojnë sinjalet negative: ky është thelbi i interpretimit të shifrave, të Vjetarit Papnor 2013, që iu paraqit sot Papës Françesku nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone e nga zëvendësi për Punët e Përgjithshme, imzot Anxhelo Beçiu. Njëkohësisht, u paraqit edhe Vjetari Statistikor Kishtar 2011, hartuar gjithnjë nga Zyra Qendrore e Statistikës së Kishës. Papa Françesku falenderoi përpiluesit e dy vjetarëve dhe tregoi interes për të dhënat, për të cilat u informua hollësisht.
Sipas Vjetarit, numri i katolikëve në botë është 1 miliard e 214 milion vetë (të dhënat i referohen vitit 2011). Në krahasim me vitin 2010 kemi një rritje prej 1,5%, pak më shumë se rritja prej 1,23% e popullsisë së Tokës, që do të thotë se edhe mjaft të rritur janë kthyer në fenë katolike. Prania e katolikëve në botë mbetet e pandryshuar në thelb, 17.5% e popullsisë. Shtimi më i madh i numrit regjistrohet në Afrikë, me 4,3%, në krahasim me një popullsi që shtohet më ngadalë, me 2,3%. E njëjta gjë ndodh edhe në kontinentin aziatik, ku katolikët janë shtuar me 2%. Ndërkaq, në Amerikë e në Evropë, rritja e Kishës varet nga pagëzimet e fëmijëve të sapolindur, pasi shtimi i popullsisë është i njëjtë me shtimin e numrit të katolikëve, në masën 0,3%. Pra, në vitin 2011, katolikët në botë ishin shpërndarë kështu: 16 % në Afrikë, 48,8% në Amerikë, 10,9% në Azi, 23,5% në Evropë dhe 0,8% në Oqeani.
Nëse analizojmë të dhënat për klerin, vërejmë se edhe këtu ka rritje. Është shtuar numri i ipeshkvijve me 0,55%. Pavarësisht se në Amerikë e në Evropë nuk ka ndryshime të mëdha, ipeshkvijtë e këtyre kontinenteve përbëjnë 70% të numrit të përgjithshëm. Prania e meshtarëve është rritur me 2,1%, me shumicën e thirrjeve në Afrikë e në Azi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për thirrjet rregulltare, jo meshtarake, që në Afrikë e në Azi shënojnë rritje prej 18,5% e 44,9%. Ndërkaq, Evropa vazhdon prirjen dhjetëvjeçare, që e ka ulur numrin e meshtarëve me 9%. Ky kontinent, së bashku me Amerikën, është më i gjallë përsa u përket diakonëve të përhershëm. Në Evropë, ata ishin 9.000 vetë në vitin 2001, ndërsa 14.000 vetë në vitin 2011.
Në ndryshim nga të tjerët, numri i murgeshave është në rënie. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ai është zvogëluar me 10%. Por edhe këtu, vihet re gjallëria e kontinenteve afrikan e aziatik, ku, në kundërshtim me prirjen evropiane e amerikane, numri i murgeshave është rritur me mëse 28% në Afrikë e me 18% në Azi. Nga këto dy kontinente vijnë edhe thirrjet e reja për meshtari, të cilat e shtojnë numrin e përgjithshëm botëror të kandidatëve për prift me 7,5%. Shihet qartë se kontributi i kontinentit evropian dhe i atij amerikan, sidomos amerikanoverior, në Kishën Katolike është në rënie.







All the contents on this site are copyrighted ©.