2013-05-10 11:36:01

Sot më 10 maj kalendari kishtar përkujton Shën Jobin


Jetoi në krahinën e Hus-it, të cilën shumë autorë e identifikojnë me zonën ndërmjet Idumesë e Arabisë veriore. Gjithçka na bën të besojmë se nuk ishte hebre, por njeri i drejtë, me frikën e Zotit. Ishte në kulmin e lumturisë, i rrethuar nga pasuri të panumërta, nga bij e bija, kur papritmas i ranë mbi kokë një mori kobësh, që për një kohë të shkurtër e lanë pa pasuri e pa bij. Gjithçka u bë hi e pluhur para syve të tij, e megjithatë nuk e humbi besimin te Zoti. Tha vetëm këto fjalë, që u bënë proverbiale e simbol i kulmit të durimit përballë humbjeve të rënda: “ Jahveh m’i dha, Jahve m’i mori: qoftë lavdëruar emri i Jahveh”.
Por fatkeqësitë nuk kishin mbaruar: si humbi të gjitha pasuritë, u prek nga një sëmundje e rëndë. Trupi i tij u shndërrua i tëri në plagë. Por ai s’e humbi qetësinë as nga sëmundja e as nga talljet e së shoqes. I dëbuar nga shtëpia, u detyrua t’i kalojë ditët mbi një grumbull plehu. Këtu e gjetën tre miq, të cilët, si morën vesh fatkeqësitë që i kishin rënë, vrapuan ta ngushëllonin.
Në këtë pikë Libri i Jobit vijon me një dialog shumë të gjatë, përmes të cilit diskutohet në formë tepër poetike problemi i zanafillës së njeriut e i dhimbjes në botë. Jeta e Jobit, pas provës, përmblidhet në pak rreshta. Durimi e dashuria e tij pa kushte për Hyjin, shpërblehet. Atij i kthehen rishtas të gjitha pasuritë, i lindin përsëri shtatë bij e tri bija e i afrohet kthimit te Ati qiellor i ngopur me ditë, pasi ka jetuar edhe 140 vjet të tjera. Emri Job vjen nga hebraishtja e do të thotë “Njeri i persekutuar, që i duron të gjitha fatkeqësitë".







All the contents on this site are copyrighted ©.