2013-05-10 16:39:53

Shenjtorët e javës 12 - 19 maj


E diel, 12 maj, Kisha katolike në të dielën e 7-të të Pashkëve, kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, që ndër shqiptarë njihet me emrin e të Shëlbuemit.
Liturgjia e festës të të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të ngjallur. Ky mister i fesë së krishterë e ka plotësimin e vet në të ngjiturit “në qiell” ku Jezu Krishti “ngjitet” duke bekuar dishepujt e duke premtuar dhuratën e Shpirtit Shenjtë.
Kjo festë kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt Zot që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit dhe për dënimin e tij të padrejtë me vdekje.
Gjithnjë më 12 maj kalendari përkujton edhe shenjtorët Nereun e Akileun, martirë; shën Pankracin, martir e shën Leopoldin Mandiç.
Të hënën më 13 maj, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Bekuar të Fatimes; përkushtimi i Kishës së Marisë “tek Martirët” në Patheon të Romës dhe shën Andreun Uberto Fournet, meshtar.
Të martën më 14 maj, bie përkujtimi i shën Matisë që, i dashur nga Ati qiellor, u bashkua me 12 Apostujt. Na kujton se nuk jemi ne që e zgjedhim Zotin, por është Ai që na fton të bëhemi misionarë të Fjalës së Tij.
Të mërkurën më 15 maj kalendari kujton shën Sofinë, shën Torkuatit, ipeshkëv i Guadiksit dhe shën Isidorin, bujk.
Të enjten më 16 maj kalendari kishtar kujton shën Aleksandrin, ipeshkëv e shën Ubaldin, ipeshkëv i Gubios.
Të premten më 17 maj kalendari kishtar kujton shën Vitorin martir dhe shën Pashk Bajlonin, lajk françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.
Të shtunën më 18 maj, kalendari kishtar kujton shën Gjonin I, papë e martir.
Të dielën e ardhshme më 19 maj, Kisha katolike do të kremtojë festën e Rrëshajëve. Këtë të diel pra bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. U tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor sikur e deshi Krishti e duke nxituar ti duam vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin
Gjithnjë më 19 maj, kalendari kishtar përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, shën Ivon meshtar e ahën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.







All the contents on this site are copyrighted ©.