2013-05-10 13:39:42

Papa Françesku: gëzimi i të krishterit nuk ëshë gaz kalimtar, por dhuratë e Jezusit


“I krishteri është burrë e grua gjithë gëzim”: këtë nënvizoi Papa Françesku sot paradite, gjatë Meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se gëzimi i të krishterit nuk është gaz, që buron nga shkaqe të jashtme, por dhuratë e Zotit, që e mbush plot shpirtin e njeriut. Në Meshën e sotme, bashkëkremtuar nga kryeipeshkvi i Meridës, imzot Baltazar Enrikue Porras Kardozo dhe nga abati primat i benediktinëve Notker Volf, mori pjesë një grup punonjësish të Radio Vatikanit, shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi.I krishteri duhet të jetë dëshmitar i gëzimit të vërtetë, atij gëzimi, që është dhuratë e Jezusit. Këtë pohoi Papa Françesku që, në homelinë e Meshës, vuri theksin mbi sjelljen gazmore të dishepujve, ndërmjet Ngjitjes së Krishtit në Qiell e Rrëshajëve:
“I krishteri është burrë e grua gjithë gëzim. Këtë na e mëson Jezusi, na e mëson Kisha, posaçërisht në këtë kohë. Po ç’është ky gëzim? Është gaz i zakonshëm? Jo: nuk është pikërisht kështu. Gëzimi është i mirë, apo jo? Të gëzohesh është punë e mirë. Po gëzimi i krishterë është diçka më tepër, është gjë tjetër. Është një gjë, që nuk vjen nga shkaqe të jashtme, shkaqe kalimtare: është diçka shumë më e thellë. Është dhuratë. Në se duam të jetojmë duke qeshur çdo çast, kjo sjellje në fund të fundit do të dukej mendjelehtë, e cekët, e do të na çonte edhe në mungesën e urtisë së krishterë, do të na bënte paksa të mangët në tru, mendjetrashë, apo jo? Njeriu nuk është gjithnjë në qejf, nuk mund të qeshë gjithnjë. Jo. Gëzimi është gjë tjetër. Është dhuratë e Zotit. Na e mbush përplot shpirtin. Është hir i Shpirtit Shenjt. Buron nga siguria se Jezusi është me ne e me Atin”.
Njeriu gazmor, vijoi Papa, është edhe njeri i sigurtë në vetvete. I sigurtë se “Jezusi është me ne, se Jezusi është me Atin”. Po këtë gëzim, pyeti Papa, thua mund ta mbyllim në shishe, për ta pasur gjithnjë në shpirtin tonë?
“Jo, sepse po të duam ta ruajmë këtë gëzim vetëm për vete, në fund të fundit do të zbehej, zemra do të lëndohej e fytyra nuk do të rrezatonte më gëzim të madh, por trishtim, zymti, që nuk është e shëndoshë. Disa herë të krishterët e zymtë duken më shumë si speca turshi, sesa si njerëz, që e gëzojnë me të vërtetë jetën. Gëzimi nuk mund të ngujohet: duhet të dalë përjashta. Të shpërthejë me vrull. Gëzimi është virtyt shtegtar. Dhuratë, që ecën, që fluturon nëpër udhët e jetës e i zgjeron shtigjet e saj. Është pikërisht virtyt i të mëdhenjve, atyre që qëndrojnë mbi meskinitetin, mbi vogëlsitë njerëzore, që nuk ngatërrohen në leqet e fjalëve të kota të bashkësisë, të Kishës: shikojnë gjithnjë horizontet e pafundme”.
Gëzimi është shtegtar, përsëriti Papa. I krishteri këndon me gëzim e kudo shkon, çon gëzim. Është virtyt i shtegtimit, madje më shumë se virtyt, është dhuratë:
Është dhuratë, që na çon tek virtyti i shpirtmadhësisë. I krishteri është shpirtmadh, nuk mund të jetë shpirtvogël: është zemërgjërë, jo zemërngushtë, bujar, jo dorështrënguar! Pikërisht shpirtmadhësia është virtyti që e mbush kraharorin me frymë, virtyti që e shtyn njeriun të ecë gjithnjë përpara, përplot me Shpirtin Shenjt. Është hir, që duhet t’ia kërkojmë Zotit, gëzimi! Në këto ditë, posaçërisht, sepse Kisha na fton ta kërkojmë gëzimin e edhe dëshirën: ajo që e çon përpara jetën e të krishterit është pikërisht dëshira. Sa më e madhe të jetë dëshira, aq më i madh do të jetë edhe gëzimi. I krishteri është burrë e grua e dëshirës: të dëshirojmë gjithnjë më shumë në rrugën e jetës. T’ia lypim Zotit këtë hir, këtë dhuratë të Shpirti Shenjt, gëzimin e krishterë. Larg trishtimit, larg gazit kalimtar… gëzimi ynë është tjetër gjë. Është hir, që duhet kërkuar!”.
Sot, tha më pas Papa Françesku, kemi një arsye të bukur, që na mbush me gëzim: prania në Romë e Tavadros II, Patrik i Aleksandrisë. Arsye gëzimi, nënvizoi, sepse është një vëlla, që vjen për t’u takuar me Kishën e Romës, vjen për të folur, për të bërë bashkë një copë rrugë!







All the contents on this site are copyrighted ©.