Shën Gjoni i Avilës lindi në Almodovar del Kampo, më 6 janar 1499, ndërroi
jetë në Montila, më 10 maj 1569. Gjoni ishte meshtar spanjoll, predikatar e mistik
i madh. I shpallur shenjt nga Papa Pali VI më 1970, njihet si Apostull i Andaluzisë. Lindi
në gjirin e një familjeje fisnike kastiliane, ku mori mësimet e para të fesë e nisi
edhe rrugën e dijes. Në moshën e pjekurisë, vijoi studimet për drejtësi në universitetin
e famshëm të Salamankës, për të kaluar, më pas, në Universitetin e Alkalá de Henares,
ku u diplomua në filozofi e teologji. Mbeti jetim kur ishte ende student e, kur u
shugurua meshtar, në vitin 1525, Meshën e parë e kremtoi në Kishën, ku ishin varrosur
prindërit, për t’ua shpërndarë, më pas, të gjitha pasuritë të varfërve. Më 1527
deshi të nisej për në Meksikë, por zelli e gojtaria, që e bënë shumë të famshëm, shkuan
në vesh të ipeshkvit të Seviljes, që e ngarkoi të organizonte misionet popullore në
të gjithë Andaluzinë, për t’i dhënë gjallëri të re fesë në këto troje. Fama e Gjonit
si gojtar u përhap me shpejtësi në të gjitha shtresat shoqërore të popullsisë, aq
sa të bëhej legjendare. Prej këndej, u caktua të mbante predikimin me rastin e salikimeve
të Mbretëreshës Izabela e Portugalisë, bashkëshorte e Karlit V, kremtuar më 17 maj
1538. Mik i Shën Injacit të Lojolës, ndihmoi shumë për përhapjen e jezuitëve në
Spanjë; mbështeti Shën Terezën e Avilës në veprimtarinë për reformimin e Urdhërit
Karmelitan dhe Shën Gjonin e Zotit, për themelimin e Urdhërit Fatebenefratelli. E
ishte pikërisht homelia e mbajtur prej tij në salikimet e Izabelës së Portugalisë,
që shkaktoi kthimin e Shën Françeskut Borxhia, i cili braktisi detyrën e mëkëmbësit
të mbretit të Katalonjës, për t’u bërë meshtar jezuit. Shën Gjoni i Avilës njihet
si autor i shumë veprave me karakter devocinal. Ndërmjet tyre, “Epistolari shpirtëror”,
që pati sukses të madh në gjysmën e shekullit XVII, u përkthye në shumë gjuhë e u
përhap në mbarë Evropën. Gjoni, prift dioqezan në vitet e rilindjes spanjolle,
mori pjesë në përtëritjen e mundimshme kulturore e fetare të Kishës e të shoqërisë
në agimet e kohëve moderne. Por shenjtëria e jetës dhe thellësia e doktrinës, e bënë
përjetësisht aktual : hiri i Shpirtit Shenjt i priu në përvojën e kuptimit të thellë
të zbulesës hyjnore e të dialogut të urtë me botën, që përbëjnë horizontin e përhershëm
të jetës e të veprimtarisë së Kishës. Sën Gjoni i Avilës është shembulli
i meshtarit të shenjtë, që u paraqitet të rinjve si pikë referimi e shembull. Figurë
e shquar për shkrimet e tij biblike, teologjike, shpirtërore e humaniste, shën Gjoni
i Avilës njihet për predikimet, që kthyen shumë njerëz në fenë e Krishtit. “Mësuesi
i Avilës”, siç e quanin, pati një këndvështrim të veçantë mbi shën Marinë, e cila
është ajo, që tregon rrugën drejt shëlbimit, dhënë si model botës nga vetë Zoti. Mariologjia
e shën Gjonit është krejtësisht në sintoni me magjisterin e Koncilit II të Vatikanit
e me mësimet e papëve. Ky shenjtor e doktor i Kishës, mbetet me vlerë të madhe
për çdo kohë e, sidomos, për kohën tonë. Edhe në ditët tona, përmes mësimit të tij,
Shpirti i Zotit të Ngjallur vijon ta bëjë të dëgjohet zëri i tij e të ndriçojë rrugën
kah e Vërteta, e vetmja që mund të na bëjë të lirë e t’i japë kuptim të plotë jetës
sonë. Kulti i tij u miratua nën papninë e Klementit XII. U shpall ‘Venerabile’(i Nderuar)
më 8 shkurt 1759; Leoni XIII e lumnoi më 4 prill 1894 e Pali VI e shenjtëroi më 31
maj 1970. Papa Benedikti XVI e shpalli Doktor të Kishës universale më 7 tetor 2012.
Kisha katolike e përkujton festën e shën Gjonit të Avilës më 10 maj. Shën Gjoni i
Avilës është pajtor i klerit shekullar spanjoll.