Kryesia e Ccee në Vatikan. Kardinali Erdë: Papa është pranë të krishterëve të Evropës.
Audienca e parë private tek Papa sot, për Kryesinë e Këshillit të Konferencave Episkopale
të Evropës (Ccee), kryesuar nga kardinali Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit.
Liria fetare, ekumenizmi, çështjet etiko-shoqërore, me rëndësi për të krishterët e
Evropës dhe të zonave fqinje, në qendër të bisedimeve e të konferencës së shtypit,
që pasoi, në selinë e Radios sonë. “Ishte një takim i mrekullueshëm, gjatë të
cilit mundëm t’i përshkruanim Papës të gjitha veprimtaritë e projektet tona. Kështu
shprehet kardinali Erdë për audiencën e sotme me Papën: “Mbi të gjitha,
nga që patëm përshtypjen se u pritëm me gjithë zemër, domethënë, me interesim të madh,
u ndoqëm me vëmendje e u inkurajuam me dashmamirësi. Ishte ngushëllim, përforcim,
gëzim i madh për ne”. Papa u interesua posaçërisht për tematikën ekumenike,
ndaj së cilës, saktëson Hirësia e Tij Erdë, u tregua tejet i ndjeshëm. Duhet punuar
shumë për afrimin e të gjitha palëve, tha Papa Françesku. Ndërsa kardinali Erdë vëren
se… “Në këndvështrimin jo vetëm straetegjik, ka edhe probleme. Po ky është
edhe rast për të parë tek vëllezërit e krishterë të konfesioneve të tjera ndjeshmërinë
ndaj disa aspekteve morale”. Themelore, për ipeshkvijtë evropianë, edhe
në bisedën me Papën, tematika fetare, me theksin mbi termat e lirisë e të pajtimit.
Do të preket, nënvizon kardinali Erdë, edhe në takimin e Patriarkanës ekumenike të
17 e 18 majit, në Stamboll, për të kujtuar 1700 vjetorin e Ediktit të Milanos si dhe
në Asamblenë plenare të Ccee me temë “Zoti e shteti. Evropa ndërmjet laicitetit e
laicizmit”, tetorin e ardhshëm, në Bratislavë. Lidhur me këtë, kryetari i Ccee , kardinali
Erdë, nënvizoi shqetësimet që dolën nga referati mbi kristianofobinë, realizuar prej
Vëzhguesit Evropian për diskriminimin edhe intolerancën fetare. Nuk është fjala për
një fenomen të izoluar, pohoi Hirësia e Tij, duke cituar prirjet e rrezikshme ligjore
dhe ndërhyrjet e qeverive evropiane mbi këtë temë: “Për shembull, duan të
inserojnë në praktikën e grupeve të ndryshme, rrethprerjen, që donin ta ndalonin disa
gjykata në Evropë, ose mishin e ndaluar në disa vende”. U fol edhe për
gjendjen e të krishterëve në Egjipt e në Siri, për afërsinë e Këshillit ndaj tyre.
U bë thirrje e fortë edhe për lirimin e Metropolitëve ortodoksë, rrëmbyer në Siri
prej ditësh. ‘Provokim’ e quajti kardinali Erdë, të cilit i duhet dhënë përgjigje
me shpresë e dialog. Nuk duhet harruar edhe situata e vështirë e ipeshkvijve në
Bosnjë-Hercegovinë, katandisur në pakicë, që kërkojnë mbështetje konkrete nga bashkësia
ndërkombëtare. Vijojmë të punojmë me të gjitha forcat për pajtimin e popujve të Evropës
brenda shoqërive të tyre, shpjeguan ipeshkvijtë, duke vlerësuar lart mobilizimin e
Francës kundër ligjit mbi martesat dhe bijësimin e çifteve gay.