2013-05-09 14:17:55

Mesazh i presidencës së Kishave Evropiane për Ditën e Evropës


Sot, Evropa kremtoi ditën kushtuar kontinentit të vjetër. Kisha Katolike ka qenë gjithnjë promovuese e lirive dhe të drejtave, në bazë të Bashkimit Evropian, që vazhdon t’i mbrojë me të gjitha forcat. Edhe sot, ajo dëshiron t’u qëndrojë pranë popujve evropianë, që po kalojnë një periudhë të vështirë për shkak të krizës ekonomike, por edhe për shkak të mënjanimit nga shoqëria të atyre vlerave, që farkëtuan shpirtin e evropianëve në shekuj.
Në mesazhin për këtë ditë, presidenca e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, ku përfshihen 33 episkopate, thekson: “Të gjithë njerëzve, që banojnë në kontinentin evropian e që ndodhen në vështirësi për krizën aktuale ekonomike, që ndjehen vetëm, që e kanë humbur, ose janë në kërkim të një pune, veçanërisht të rinjve, duam t’ju themi se Kisha në Evropë është afër tyre dhe i fton të mos e humbasin shpresën”.
Jezu Krishti është burimi i shpresës për Evropën, thoshte 10 vjet më parë, i Lumi Gjon Pali II në Nxitjen Apostolike “Kisha në Evropë”. Për këtë arsye, ipeshkvijtë evropianë u drejtohen sërish vlerave të krishtera, si e vetmja pikë referimi për banorët e kontinentit, duke i ftuar të jenë solidarë, pa frikë e egoizëm, të rizbulojnë rëndësinë e familjes, vlerën e dhuratës e të mikpritjes, për të ndihmuar më nevojtarët. Ipeshkvijtë falenderojnë ata, që veprojnë në fushën e bamirësisë dhe i ftojnë të gjithë të krishterët evropianë – “bashkësi me fat të përbashkët”, siç thoshte Robert Shuman, një nga etërit e Bashkimit Evropian, më 9 maj 1950 – të reflektojnë për impenjimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie, me zemër të hapur për Zotin dhe e bazuar në të vërtetën, në drejtësinë, në solidaritetin e lirinë. Këto janë shtyllat, mbi të cilat mbështetet paqja, siç pati nënvizuar Papa Gjoni XXIII, 50 vjet më parë, në enciklikën “Pacem in Terris”.







All the contents on this site are copyrighted ©.