2013-05-08 16:06:59

Papa: të krishterët ndërtojnë ura, jo mure


Ungjillëzim nuk do të thotë të bësh prozelitizëm. Këtë theksoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Papa pohoi se i krishteri, që dëshiron të kumtojë Ungjillin, duhet të dialogojë me të gjithë, duke e ditur se askush nuk e zotëron të vërtetën, sepse e vërteta merret vetëm përmes takimit me Krishtin. Në Meshë, bashkëremtuar nga kardinali Francesco Kokopalmieri dhe imzot Oskar Ricato, mori pjesë një grup nëpunësish të Shërbimeve të përgjithshme të Governatoratit, të Kancelarisë së Gjykatës së Shtetit dhe të Lulishteve të Vatikanit.

Të krishterët e sotëm duhet të jenë si Shën Pali që, duke u folur grekëve në Areopag, ndërtoi ura, për ta kumtuar Ungjillin pa dënuar askënd. Këtë nënvizoi Papa Françesku, që vuri theksin mbi sjelljen guximtare të Shën Palit, i cili i afrohet më shumë zemrës së njeriut, që e dëgjon, duke kërkuar gjithnjë dialogun. Prandaj, vërejti, Apostulli i Popujve, qe papë i vërtetë, ndërtues urash e jo muresh. E kjo na nxit të mendojmë për mënyrën si duhet të sillet besimtari i krishterë:
“I krishteri duhet të kumtojë Jezu Krishtin në mënyrë që të pranohet, të mirëpritet, të mos kundërshtohet. E Pali e di se duhet ta hedhë farën e këtij kumti ungjillor. E di se kumtimi i Jezu Krishtit nuk është i lehtë, e edhe se nuk varet prej tij: ai duhet të bëjë ç’është e mundur, por kumtimi i Jezu Krishtit, kumtimi i së vërtetës, varet nga Shpirti Shenjt. Në Ungjillin e sotëm Jezusi thotë: ‘Kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, do t’ju prijë kah e vërteta e plotë’. Pali nuk u thotë athinasve: ‘Kjo është enciklopedia e së vërtetës. Studiojeni, e do të keni në dorë të vërtetën, të vërtetën!’. Jo! E vërteta nuk hyn në enciklopedi. E vërteta është takim: është takim me të Vërtetën më të lartë: Jezusi është e vërteta e madhe. Askush nuk është pronar i së vërtetës. E vërteta merret në takim”.
Po pse veproi kështu Pali? Mbi të gjitha, pohoi Papa, sepse kështu fliste Jezusi. Kështu fliste Zoti me të gjithë, edhe me mëkatarët, me publikanët, dijetarët e ligjit. Pali ecën në gjurmët e Jezusit:
I krishteri, që dëshiron ta kumtojë Ungjillin, duhet të ecë në këtë rrugë: t’i dëgjojë të gjithë! Po tani Kisha gëzon kohë të mirë: këto 50-60 vitet e fundit kanë qenë kohë e mirë. Unë, kur isha fëmijë, kujtoj se në familjet katolike, e edhe në timen, dëgjoja të thuhej: ‘Jo, në shtëpinë e tyre nuk mund të shkojmë, sepse nuk kanë vënë kurorë në Kishë, kështu, apo jo?’. Ishte si një farë përjashtimi. Jo, nuk mund të shkohej! Edhe kur ishin socialistë, ose ateistë, nuk mund të shkohej. Tani, faleminderës Zotit, jo, nuk dëgjohen më këto fjalë, apo jo? Nuk thuhen! Ishte përpjekje për të mbrojtur fenë, por me mure! Zoti ka bërë ura. Së pari, Pali sillet pikërisht kështu, sepse kështu sillej vetë Jezusi. Së dyti: Pali është i vetëdijshëm se ai duhet të ungjillëzojë e jo të bëjë prozelitë”.
Kisha, reflektoi Papa, duke cituar Benediktin XVI, nuk rritet përmes prozelitizmit, por përmes forcës tërheqëse, përmes dëshmisë, përmes predikimit. E kështu sillej edhe Pali: kumtonte, nuk synonte t’i kthente njerëzit në fenë e krishterë me forcë, po me bindje, me shpirtin e fesë së Krishtit. E ia doli mbanë të sillej kështu, sepse nuk dyshonte në Zotin e vet. Të krishterët, që kanë frikë të ndërtojnë ura, ndërtojnë mure, vërejti Papa, e shtoi: kjo tregon se nuk janë të sigurtë në fenë e tyre, nuk besojnë me siguri të plotë në Jezu Krishtin. Ndërsa të krishterët e vërtetë sillen si Pali, ndërtojnë ura e ecin përpara:
“Pali na mëson këtë udhë për të ungjillëzuar, sepse po këtë udhë bëri Jezusi, me vetëdijën se të ungjillëzosh nuk do të thotë të bësh prozelitizëm: Apostulli është i sigurtë për Jezu Krishtin, prandaj nuk ka nevojë të përligjet e as të kërkojë arsye për t’u përligjiur. Kur Kisha e humbet këtë guxim apostolik, bëhet Kishë e amullt, Kishë e rregullt, e bukur, tërheqëse në të parë, por pa fryt, sepse e ka humbur guximin të shkojë në skutat e jetës, atje ku shumë njerëz janë viktima të idhujtarisë, të mendimit të lig, të punëve të botës e të shumë e shumë sendeve të tjera. T’i lutemi sot Palit të na e japë këtë guxim apostolik, këtë flakë shpirtërore, këtë siguri kumtimi. “Por, o Atë ne edhe mund të gabojmë’... ‘Përpara, në se gabon, në se rrëzohesh, ngreju përsëri e ec: kështu ecet! Ata që nuk ecin para nga frika se mund të gabojnë, bëjnë një gabim edhe më të rëndë! E ashtu qoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.