2013-05-08 16:14:31

Më 10 maj, Papa Françesku do të takohet me Patrikun kopto-ortodoks Tawadros II


Kreu i Kishës ortodokse kopte të Egjiptit do të pritet nesër në Vatikan nga Papa Françesku. Vizita e Patrikut Tawadros II në Vatikan bëhet 40 vjet nga takimi i majit të vitit 1973 ndërmjet Papës Palit VI e paraardhësit të Patrikut aktual të Aleksandrisë, Shenouda III. Pra nga dita e premte e deri më 13 maj, Patriku Tawadros II, Papë i Kishës kopto.ortodokse të Aleksandrisë së Egjiptit dhe Patrik i Selisë së Shën Markut, do të vijë në Romë për t’u takuar me Papën Françesku Bergoglio. Përveç audiencës dhe lutjes së përbashkët me Atin e Shenjtë Françeskun, më 10 maj – njofton nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit – Patriku Tawadros II do të shkojë për vizitë edhe në Këshillin Papnor për nxitjen e Bashkimit të të krishterëve e në dikastere të tjera të Kuries Romake. Gjithashtu, do të lutet në varrin e shën Pjetrit e të shën Palit Apostuj e do të takohet me besimtarët e bashkësisë kopte, që banojnë në Romë.
Paraardhësi i Patrikut Tauadros, Papa Shenuda III u takua me Papën Pali VI dyzet vjet më parë, në maj të vitit 1973. Në atë rast, ata nënshkruan një Deklaratë të rëndësishme kristologjike, që shënoi nisjen e dialogut ekumenik ndërmjet dy Kishave. Që nga zgjedhja e Taudaros II, si Patrik kopto-ortodoks, vërehet një afrim i vazhdueshëm ndërmjet bashkësive të krishtera të Egjiptit. Kjo ka sjellë ngritjen e një Këshilli për Kishat e krishtera në Egjipt.
Kisha kopto-ortodokse e Egjiptit, kujtohet së fundi në komunikatë, numëron rreth 10 milion besimtarë. Ajo është një nga realitetet më të rëndësishme në panoramën kishtare të Lindjes së Mesme, ku, aktualisht, bashkësitë e krishtera jetojnë në vështirësi të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.