Kolumbi: vritet një meshtar tjetër. Sot, Mesha e dritës.
Një tjetër meshtar i vrarë në Kolumbi. Është fjala për atë José Antonio Bajona Vale,
48 vjeç, prift dioqezan i kryedioqezës së Barrankuilës, therur të hënën e kaluar
me 11 goditje thike. Prifti, i shuguruar më 20 dhjetor 1998, famullitar i famullisë
së Krishtit Mbret, sipas agjencisë Fides, u gjet i mbytur në gjak në një shteg të
humbur, në zonën e fshatit Huan Mina. “Denocojmë këtë krim që, edhe një herë, flet
qartë për situatën e vështirë, në të cilën jeton shoqëria jonë, tepër larg frymës
së bashkimit e të vëllazërisë. Në vend sundon dhuna e numri i viktimave është alarmues”,
pohon për agjencinë Fides, zëdhënësi i kryedioqezës së Barankuilës. E një nga viktimat
është edhe don Josè, vdekja e të cilit u prit me dhimbje të thellë nga Kisha e nga
bashkësia, ku punoi si shërbëtor i Zotit. Edhe pas kësaj ngjarjeje, që flet vetë për
mizorinë e vrasëve, kryedioqeza e Barankuilës vijon impenjimin për paqe e kumton edhe
më me forcë se të diel, më 19 maj, do të organizojë Marshimin për jetën, kundër të
gjitha formave të dhunës, që kërcënojnë jetën njerëzore. Mesha e dritës e priftit
të therur u kremtua sot, në orën 09.00, pranë katedrales metropolitane të Zojës Mbretëreshë.Kujtojmë
se në Kolumbi në vitin 2012 u vra një prift; më 2011, 6 priftërinj e një laik; më
2010, 3 priftërinj e një rregulltar; më 2009, 5 priftërinj e një laik. Në vitin 2013,
numri ka arritur tashmë në 4 meshtarë të vrarë.