2013-05-08 16:08:27

Kardinali Skola për lirinë fetare: “Pa këtë të drejtë, shemben të gjitha të tjerat”.


Reflektimi për pluralizmin në shoqëri, lirinë fetare dhe vendin e Zotit në botën e sotme. Është ky filli i kuq, që përshkon gjithë librin e fundit të kardinalit Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, titulluar “Të mos e harrojmë Zotin! Liria e feve, e kulturave, e politikës”, botuar nga Ricoli, që u paraqit këto ditë në Milano. Libri botohet në kuadrin e kremtimeve me rastin e 1.700 vjetorit të Ediktit të Milanos mbi lirinë fetare, shpallur nga Kostandini, në vitin 313. Kremtimet do të arrijnë kulmin me vizitën e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, në Kishën ambroziane, më 15 e 16 majin e ardhshëm. Kardinali Skola, në mikrofonin tonë, flet, së pari, për qëllimin e librit të ri:

Përgjigje: - Qëllimi i librit është të shikohet se kjo temë - e lirisë së feve e kulturave, brenda së cilës përfshihet edhe vizioni i atij që thotë se është agnostik ose ateist – krijon sot një sërë problemesh të reja për t’u zgjidhur. Përndryshe, në se mungon liria fetare e kulturave e politika nuk e garanton, duke qenë kjo liri këmba më e lartë e shkallës së të drejtave të njeriut, krijohet rreziku i shembjes së gjithë shkallës.

Pyetje: - Shteti modern, përballë propozimit fetar, duhet të jetë indiferent, apo asnjanës?

Përgjigje: - Duhet të jetë akonfesional, domethënë nuk duhet të marrë mbi vete asnjë vizion të botës. Akonfesionaliteti i Shtetit nuk duhet të ketë kuptimin e shkëputjes indiferente lidhur me vizionet e botës, duke përfshirë këtu edhe fetë, por, në një shoqëri plurale, duhet të favorizojë ballafaqimin ndërmjet të gjitha feve e të gjitha vizioneve të botës. Akonfesionalitet më duket term më i përshtatshëm lidhur me shtetin, në krahasim me termat “indiferencë” ose “asnjanësi”, me që na kujton se Shteti nuk merr mbi vete një vizion të posaçëm, por favorizon ballafaqimin ndërmjet të gjitha vizioneve, duke pasur për qëllim të përcaktojë temat e përbashkëta, materiale e shpirtërore, që krijojnë mundësitë për një jetë të mirë shoqërore.

Pyetje: - Kur flitet për tema si lindja, martesa, edukimi, vdekja, shoqëritë demokratiko-liberale, domethënë Shtetet, të duket se nuk e kanë fort parasysh propozimin fetar...

Përgjigje: - Pikërisht. E kjo sepse, sipas meje, mungon shqetësimi për të favorizuar atë që zjen brenda shoqërisë civile. Për shembull, në shoqërinë civile italiane shikojmë sesi mbi këto tema ka subjekte personale e shoqërore, që kanë mendime të ndryshme e që ballafaqohen. Të mendojmë për atë që ndodhi në Francë muajt e fundit, për shembull, lidhur me martesat gay. Atëherë shteti, para se të bëjë ligje, duhet ta dëgjojë zërin e shoqërisë civile, e për ta dëgjuar, duhet ta mbështesë me të gjitha mënyrat lirinë e ballafaqimit reciprok ndërmjet vizioneve të ndryshme, që synon njohjen, për të gjetur rrugën e drejtë. Do të jetë, prandaj, detyrë e shtetit, në frymën e respektimit të të drejtave themelore të të gjithëve, t’i bëjë ligjet sipas vendimit që merr shumica e qytetarëve, duke u lënë, pastaj të gjithëve, lirinë e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, kur ligji i kundërvihet ndërgjegjes së njeriut.

Pyetje: - Duke kujtuar vendet e Afrikës, të Azisë e edhe vendet me shumicë myslimane, ç’do të thotë të flasësh për lirinë fetare? Në këto vende dëgjohet shumë më shpesh fjala persekutim fetar, sesa liri fetare...
Përgjigje: - Sigurisht. Është ky një nga elementet, që më shtyu ta shkruaj këtë libër e të zgjedh si titull, thirrjen: “Të mos e harrojmë Zotin!”, sepse, sipas meje, nuk mund të mos i bëjmë vetes pyetjen mbi situatën, në të cilën shumë njerëz të feve të ndryshme, jo vetëm të krishterë, jetojnë tragjikisht në vende me shumicë myslimane, ose edhe në vende të vetëshpallura ateiste. Është detyrë e Perëndimit, që mbahet ende si vend i lirisë, t’i thellojë të gjitha këto problematika të reja lidhur me këtë temë. E, duke i përballuar, ne mund edhe të ndihmojmë, për shembull, vendet e islamit, për ta pranuar lirinë e kthimit në një fe tjetër, gjë që sot nuk pranohet. Unë nuk luftoj për kthimin në të kaluarën. Kërkoj vetëm të shtroj për diskutim problemet e lashta, të pazgjidhura lidhur me temën e lirisë fetare, që ndodhet në majë të shkallës të të drejtave. Nëse mungon vënia në jetë e lirisë së fesë e të kulturës, e nëse politika nuk e ndjek këtë problem, e gjithë shkalla e të drejtave është në rrezik të shembet.







All the contents on this site are copyrighted ©.