2013-05-07 17:42:04

Të drejtat njerëzore, paqja e drejtësia në qendër të takimit të Papës me Presidentin e Zvicrës Maurer


Dje paradite Papa ka pritur në Vatikan, Presidentin e Konfederatës Helvetike, Ueil Maurer, i cili pas takimit me Atin e Shenjtë është takuar me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone e imzot Mambertin, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet. “Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një deklaratë e sallës së shtypit të Vatikanit – u kujtua shërbimi i lavdërueshëm shumëshekullor i Rojeve Zvicerane Papnore me rastin e betimit të përvitshëm të rekrutëve, është theksuar vullneti i përbashkët për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Konfederatës Helvetike, e të shtohet bashkëpunimi ndërmjet Kishës katolike e Shtetit. Pastaj është fol rreth temave me interes të përbashkët, siç është mbrojtja e të drejtave njerëzore, formimi i rinisë e bashkëpunimi ndërkombëtar për promovimin e drejtësisë e paqes”.
Kujtojmë se Rojet Zvicerane janë në shërbim të papëve, që nga 22 maji i vitit 1506, në kohën e Papës Xhulio II. Përveç rastit që përmendëm, ato morën pjesë edhe në shumë beteja të tjera, por sot qëndrojnë vetëm në hyrje të Shtetit të Vatikanit e në muze e institute të rëndësishme të Selisë së Shenjtë, të armatosur thjesht me alabardën. Ajo është armë e bardhë, një lloj sëpate me teh e majë të mprehtë, montuar mbi një shtizë të gjatë. Është thjesht simbol i kohëve e nuk përdoret kundër vizitorëve të Vatikanit, për të cilët, rojet zvicerane kanë gati vetëm buzëqeshjen dhe mirësjelljen, që i karakterizon. Alabarda plotëson veshjen e rojeve, ngjyrë blu, e kuqe dhe portokalli, që mendohet të jetë ideuar nga Mikelanxhelo i madh.
Mund të bëhet roje zvicerane, çdo mashkull me nënshtetësi zvicerane, katolik, i moshës 18-30 vjeç, i gjatë jo më pak se 174 cm, i pamartuar, i pajisur me çertifikatë për aftësitë profesionale, ose me diplomë të shkollës së mesme, që ka kryer me nder shërbimin ushtarak në Zvicër. Martesa pranohet për kaporalët dhe për ushtarakët me grada më të larta.







All the contents on this site are copyrighted ©.