2013-05-07 11:41:15

Tanzani: shpërthim në një kishë katolike. Nunci apostolik “Jemi thellësisht të tronditur”.


Një shpërthim i fuqishëm tronditi thellë kremtimin e së dielës në një kishë katolike të qytetit të Arushës, në Tanzani: bilanci, ende i përkohshëm, flet për një fëmijë të vdekur e dhjetra të plagosur nga të cilët, 3 në gjendje të rëndë. Shpërthimi, shkaktuar nga një bombë, ndodhi gjatë përurimit të një famullie, në praninë e nuncit apostolik në vend, imzot Francisco Padila, që fatmirësisht nuk pësoi asnjë dëmtim. Policia ka arrestuar një të pandehur, por nuk ka sqaruar akoma hollësitë e ngjarjes, për të cilat pyetëm vetë nuncin apostolik në Tanzani, imzot Francisko Padila. Me telefon, nga Arusha:

Përgjigje: - Askush nuk e priste këtë. Ardhja ime në qytet për vizitë baritore u mirëprit. Arritëm në orën 10.00 për të përuruar famullinë. Kur nisëm bekimin jashtë Kishës, para se të riktheheshim brenda, dëgjuam shpërthimin, pastaj pamë trupat e njerëzve të plagosur përdhe. Isha tejet i tronditur, kur erdhën policët e më çuan në një vend të sigurtë.

Pyetje: - Si e shpjegoni këtë sulm?

Përgjigje: - Të gjithë vijojnë të jenë të tronditur. Askush nuk e priste këtë. E në këto çaste mendoj e lutem kryesisht për viktimat. Jam shumë i hidhëruar për ta, viktima të pafajshme gjatë një kremtimi fetar.

Pyetje: - Në ç’drejtim po hetohet për të zbuluar fajtorët?

Përgjigje: - Nuk dihet. Tani jam strehuar në shtëpinë e ipeshkvit. Qeveria lokale më shpreh keqardhjen, duke më siguruar se po impenjohet me të gjitha forcat për të gjetur fajtorin. Kryesisht po bëhet ç’është e mundur që një fakt i tillë të mos përsëritet edhe në të ardhmen.

Pyetje: - Ju çudit kjo ngjarje në një kishë të Tanzanisë, ku nuk pritej…

Përgjigje: - Jo, nuk pritej, kjo është hera e parë. Në Kenia kanë ndodhur gjëra të tilla, po jo në Tanzani. Është hera e parë që shpërthen një bombë gjatë një kremtimi liturgjik.

Pyetje: - Cili është mesazhi juaj në këtë çast të vështirë?

Përgjigje: - Nga ana ime, si përfaqësues i Papës, i shpreh solidaritetin Kishës së Arushës e edhe të gjitha kishave të tjera në vend, të cilat, në të kaluarën, kanë jetuar çaste dramatike: për shembull, në Zanzibar, ku është vrarë një meshtar e janë djegur disa kisha. Lutem për viktimat dhe për familjet e tyre. E shpresoj për më mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.