Papa Françesku shtatë ditë në Brazil: ja programi i Ditës Botërore të Rinisë 2013
Papa Françesku do të jetë në Brazil nga data 22 deri më 29 korrik për të kryesuar
ngjarjet e Ditës së 28-të Botërore të rinisë, në program në Rio-de-Zhanéjro mbi temën
“Shkoni e bëni dishepujt të gjithë popujt”. Në metropolin brazilian, Ati i Shenjtë
Bergoglio do të ketë shumë takime institucionale dhe audienca tjera me karakter kishtar
e shoqëror, por edhe një moment takimi me Kishën vendore në Shenjtëroren e madhe të
Zojës së Bekuar në Aparecida. Programi i këtij shtegtimi apostolike të parë të Papës
në Brazil është shpallur sot nga salla e shtypit e Selisë së Shenjtë. Do të jenë
të rinjtë e pesë kontinenteve ata që do ta “shoqërojnë” Papën Françesku në udhëtimin
e tij të parë ndërkombëtar apostolik. Por para se ti përqafojë të rinjtë nga mbarë
bota në atë festë entuziazmi e hovi fetar që çdo DBR-së dhuron prej tre dekadash,
Ati i Shenjtë Françesku do t’ia besojë rininë e takimin e tyre në Brazil Zojës së
Bekuar të Aparecidës. Gjatë shtegtimit së Papës Françeskut në Brazil me rastin e DBR-së
gjithsejtë janë në program 15 homeli e fjalime papnore. Shtegtimi në shenjtëroren
mariane në Aparecida do të jetë akti i parë i vizitës së Papës Françeskut në Brazil,
ku mbërrin të hënën më 22 korrik, rreth orës 16,00 në aeroportin ndërkombëtar
Galeao të Rio-de-Zhanéjros. Një orë më vonë do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes
në kopshtet e Pallatit Presidencial Guanabara në Rio, pastaj vizita Presidentes së
Republikës, Dilma Roussef. Dita e martë më 23 korrik për Papën Françesku
do të jetë ditë pushimi në rezidencën Sumaré, ku do të ndalet deri të nesërmen. Pra
këtë ditë nuk ka angazhime të caktuara në program. Të mërkurën më 24 korrik,
Papa Bergoglio në mëngjes në 8.15, do të shkojë me helikopter në shenjtëroren e Zojës
sonë të Papërlyer të Aparecidas, ku në ora 10.00 do të jetë në nderim e lutje para
figurës së Virgjërës Shenjte. Në 10.30 do të kremtohet Mesha, pas së cilës Papa shkon
në Seminarin ‘Bon Jesus’ me grupin e shoqëruesve, ipeshkvijtë e Provincës dhe seminaristët
e vendit. Pas dite në Rio, Papa Bergoglio do të vizitojë në ora 18.30 spitalin ‘Shën
Françesku i Asizit’. Të enjten më 24 korrik në mëngjes, në ora 9.45 në pallatin
e Bashkisë do t’i dorëzohet Papës çelësi i qytetit. Këtu Ati i Shenjtë Bergoglio do
të bekojë flamujt olimpik të Lojërave të ardhshme Rio 2016. Në ora 11.00 do të vizitojë
bashkësinë e Varginha. Në ora 18.00 është në program takimi i parë i Papës me Ditën
e 28-të Botërore të Rinisë, festa e pritjes të të rinjve përgjatë bregdetit të njohur
të Copacabana. Të premten më 26 korrik në ora 10.00, në Parkun Quinta da
Boa Vista, është në program rrëfimi i disa të rinjve pjesëmarrës të DBR-së. Në ora
11.30, në pallatin kryeipeshkëvnor të Shën Joakimit, do të jetë takimi i shkurt me
disa të ri të burgosur, pas të cilin vijon lutja e mesditës e Engjëllit të Tënzot
nga ballkoni i rezidencës. Menjëherë pas Papa Françesku do të përshëndesë komitetin
organizues të DBR-së e do të ndalet për drekë me të rinjtë. Në ora 18.00 përsëri gjatë
bregdetit të Rio-s Copacabana, do të mbahet Udha e Kryqit me të rinjtë nga mbarë bota. Të
shtunën më 27 korrik, në ora 9.00, është në program kremtimi i meshës me ipeshkvijtë
e DBR-së, meshtarët, rregulltarët e seminaristët në katedralen e Shën Sebastianit.
Në ora 11.30 takimi me klasën udhëheqëse të Brazilit në teatrin e Bashkisë. Në ora
13.30 dreka me kardinajtë brazilianë, me presidencën e Konferencës ipeshkëvnore e
ipeshkvijtë e Rajonit në Qendrën e Studimeve në Sumarè. Në ora 19.00 mbrëmja e lutjes
me të rinjtë e mbarë botës në Campus Fidei në Guaratiba. Dita përfundimtare, të
dielën më 28 korrik, parashikon meshën e mbylljes të DBR-së gjithnjë në Campus
Fidei, që vijon me lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite, në ora 16.00 takimi me Komitetin
e koordinimit të Këshillit ipeshkëvnor të Amerikës Latine (Celam), në ora 17.00 takimi
me vullnetarët e DBR-së. Së fundi, në ora 18.30 ceremonia e lamtumirës në aeroportin
ndërkombëtar Galeao. Në ora 19.00 parashikohet nisja drejt Romës, ku Papa do të mbërrijë
të nesërmen, e hënë 29 korrik, në ora 11.30.