2013-05-07 15:00:12

Papa Françesku: i krishteri i mirë nuk ankohet, por e përballon dhimbjen me gëzim


Edhe në mesin e vuajtjeve e të travajëve, i krishteri nuk trishtohet kurrë, por e dëshmon gjithnjë me gëzim Krishtin. Kështu tha Papa Françesku sot paradite, në meshën e kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Duke u nisur nga leximet e ditës së sotme, që theksojnë gëzimin e Shën Palit Apostull e të Silës, të cilëve u duhej të përballonin burgosjen dhe persekutimet për të dëshmuar Ungjillin, Ati i Shenjtë shpjegoi se ata e ndjenin se po ndiqnin hapat e Jezusit në udhën e Tij të Mundimeve, prandaj tregonin durim e madje edhe gëzim:
“Të hyjmë me durim: kjo është udha, që na mëson Jezusi ne të krishterëve. Të hyjmë me durim… Kjo nuk do të thotë të trishtohemi. Jo, jo, është krejt tjetër gjë! Kjo do të thotë të durojmë, të bartim mbi supe peshën e vështirësive, peshën e kontradiktave, peshën e travajëve. Është qëndrim tipik i krishterë, ky i durimit. Është ajo që në Bibël thuhet me një fjalë greke, kuptimplotë, “Hypomoné” – të durosh në jetë punët e përditshme: kontradiktat, travajët, të gjitha këto. Pali e Sila i duruan mundimet, i duruan poshtërimet: Jezusi vetë i ka duruar, ka hyrë me durim në to. Këtë do ta quaja proces për të arritur në maturinë e krishterë, përmes udhës së durimit. Një proces, që kërkon kohë, nuk bëhet nga një ditë në tjetrën: bëhet gjatë gjithë jetës për të arritur në maturinë e krishterë. Është si vera e mirë”.
Papa kujtoi se shumë martirë kanë shkuar drejt vdekjes me gaz, si për shembull, japonezët e Nagasakit, që e ndihmonin njëri-tjetrin, ndërsa prisnin fundin. Madje, disa nga martirët shkonin drejt vdekjes, si të shkonin drejt dasmës. Ky qëndrim është normal për të krishterin, tha Ati i Shenjtë, por nuk është mazohist. Të çon në udhën e Jezusit:
“Kur mbërrijnë vështirësitë, vijnë edhe tundimet. Për shembull ankohemi: “Pa shih ç’më gjeti!”. I krishteri, që ankohet vazhdimisht, harron të jetë i krishterë i mirë: kthehet në zotin apo zonjën ankesë, apo jo? Sepse ankohet gjithmonë për gjithçka, apo jo? Heshtja në duresë, heshtja në vetëpërmbajtje. Ajo heshtje e Jezusit: Jezusi gjatë udhës së Mundimeve nuk foli, vetëm dy o tre fjalë më të nevojshme… Por nuk është heshtje e trishtuar: heshtja në mbartjen e Kryqit nuk është e trishtuar. Është e dhimbshme, nganjëherë shumë e dhimbshme, por jo e trishtuar. Zemra mbetet në paqe. Pali e Sila luteshin në paqe. Kishin dhimbje, …kishin plagë, por duronin paqësisht. Udha e duresës, e qëndrimit, na bën të thellohemi në paqen e krishterë, na bën të fortë në Jezusin”.
Prandaj, Jezusi pa u ankuar, duroi në paqe. E kjo udhë në paqe na bën më të rinj, nënvizoi Papa Françesku:
“Pacienti është ai, që me kohë, bëhet më i ri! Të mendojmë, për shembull, për të moshuarit, që kanë duruar shumë në jetë: nëse ua shohim sytë, vërejmë se janë të rinj, kanë shpirt rinor e rini të përtërirë. Për këtë na fton Zoti: për këtë rini të përtërirë Pashkësh, për udhën e dashurisë, të durimit, të vetëpërmbajtjes para travajëve e, edhe – më lejoni të them – para njëri-tjetrit. Sepse këtë duhet të bëjmë, me dashuri, pasi nëse unë duhet të të duroj ty, jam i sigurtë se edhe ti më duron mua e kështu, ecim përpara në udhën e Jezusit. T’i lutemi Zotit për hirin e durimit të krishterë, që na jep paqen; t’i lutemi të durojmë me zemër, me gëzim, për t’u bërë gjithnjë e më të rinj, si vera e mirë: më të rinj, përmes përtëritjes së rinisë së Pashkëve të shpirtit. Ashtu qoftë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.