Sulmi i dytë ajror izraelit mbi Sirinë. Damasku e konsideron deklaratë lufte. Shqetësimi
i OKB-së.
Rreziku i përhapjes së konfliktit sirian në të gjithë Lindjen e Mesme është në rend
të ditës, pas dy sulmeve ajrore izraelite, që goditën Damaskun; i fundmi ndërmjet
së shtunës e së dielës. Goditjet, sipas specialistëve, janë një mesazh i qartë drejtuar
Iranit. Nga frika e raprezaljeve, shteti hebraik e mbylli hapësirën ajrore në veri
të vendit, ndërsa nga Siria njoftohet se, pas sulmeve izraelite, mund të ndiqen
të gjitha rrugët e mundshme. Thellësisht e shqetësuar OKB-ja, ndërsa dënon rebelët,
për të cilët thuhet se kanë përdorur armë kimike. Për herë të dytë në pak orë, avionët
gjuajtës të Izraelit goditën objektiva strategjike në Siri. Sipas dëshmive, objektivi
kryesor ishte qendra e kërkimore ushtarake e Jamraya, pranë Damaskut, si dhe një ngarkesë
armësh ardhur nga Irani për armatosjen e Hezbollahëve. Ministri sirian i Punëve të
Jashtme Faiçal al-Medad e shikon sulmin si shpallje lufte. Tv-ja libaneze e Hezbollahëve
“al-Manar” njofton se një nga gjuajtësit me yllin e Davidit, u rrëzua. Nga OKB-ja,
Ban Ki-moon i fton palët të kenë shumë kujdes, nësa në kufi vijojnë lëvizje të dukshme
ushtarësh e armësh. Damasku deklaron se një sulm i tillë i lë të hapura të gjithë
rrugët. Ndërsa OKB-ja, që vijon hetimet për krimet e luftës, kryer në Siri, njofton
përmes Karla del Ponte, se ka prova lidhur me përdorimin e armëve kimike nga ana e
kryengritësve, e jo nga njerëzit e Asadit. Del Ponte, ish-prokurore e përgjithshme
e Gjykatës ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, pohon se rebelët kanë përdorur
gaz sarin e se hetimet nuk do të përfundojnë aq shpejt.