2013-05-06 16:21:02

Siri. Ipeshkvi Audo: Pashkë në zi për vëllezërit tanë ortodoksë.


Këndonin “Krishti u ngjall” e, ndërsa përsërisnin këto fjalë, nga sytë u rridhnin lot të hidhur. Lutje e lotë. Këtë pamje kishte Dita e Pashkëve të sivjetshme, e sapokremtuar nga bashkësitë e krishtera lindore, që ndjekin kalendarin julian. E kështu e përshkruan edhe ipeshkvi kalde i Halebit, imzot Antuë Audo.
Mbarë populli po vuan për shkak të luftës, pohon, por bashkësisë së krishterë halebiane i shtohet edhe rrëmbimi i barinjve, që përfunduan në duar të panjohura. Kaluan tre muaj nga dita e rrëmbimit të dy barinjve e dy javë nga rrëmbimi i peshkopëve Johana Ibrahim e Bulos Jazigi, i pari siriako-ortodoks e i dyti greko-ortodoks, ndaluar nga njerëz të armatosur, ndërsa udhëtonin në kufirin siriano-turk, drejt Halebit. Njerëzit vranë shoferin, ndërsa dy prelatët i çuan në një vend të panjohur. Bashkësia e krishterë, e tronditur thellë, kujton edhe rrëmbimin, në shkurtin e kaluar, të dy priftërinjve: atë Mikel Kaial, armen katolik dhe atë Maher Mahfuz, greko-ortodoks, për të cilët nuk ka asnjë lajm.
Të gjithë pyesin për fatin e peshkopëve, të meshtarëve e edhe për fatin e vet. Koha kalon pa lajme e kjo nuk është shenjë e mirë. Lufta e përditshme për mbijetesë i pengon njerëzit të shikojnë përtej pragjeve të veta, për të pasur një vizion të qartë për konfliktin në përgjithësi, për pasojat e sulmeve ajrore izraelite edhe rrezikun e përhapjes rajonale të konfliktit.
Ipeshkvi kalde i Halebit, që është edhe drejtor i Karitasit, thekson: “Jemi shumë shpesh pa elektricitet, mungon uji, nuk shikojmë më televizorin dhe e kemi vështirë të informohemi për ngjarjet. E kaloj gjithë kohën duke pritur e përcjellë njerëz, që kërkojnë ndihmë. E nuk mund të bëj asnjë lëvizje jasht Halebit, sepse çdo hap bëhet gjithnjë më i rrezikshëm”.
Kujtojmë thirrjen e Papës Françesku për paqe në Siri dhe për lirimin e dy peshkopëve ortodoksë më 24 prillin e kaluar, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Papa bëri thirrje për paqe në Siri dhe peshkopët ortodoksë sirianë të rrëmbyer, për lirimin e të cilëve nuk ka akoma asnjë lajm të saktë:Rrëmbimi i metropolitëve greko-ortodoks e siro-ortodoks të Halebit, për lirimin e të cilëve vijnë lajme në kundërshtim me njëri-tjetrin, është shenjë tjetër, që flet për situatën tragjike të kombit të dashur sirian, ku dhuna dhe armët vijojnë të mbjellin vdekje e vuajtje. I lutem Zotit që të dy peshkopët të kthehen sa më shpejt pranë bashkësive të tyre, e sidomos, t’i ndriçojë zemrat. Përsëris ftesën, drejtuar ditën e Pashkëve, që të marrë fund gjakderdhja, t’u jepet popullsive ndihma e nevojshme humanitare e të gjindet sa më shpejt rruga për të dalë nga kriza”.







All the contents on this site are copyrighted ©.