Papa: Kisha duhet të jetë guximtare, jo e druajtur.
Gjithë të krishterët e kanë për detyrë ta kumtojnë fenë me guxim. Për këtë i nxiti
sot paradite Papa Françesku besimtarët e pranishëm në Meshën, kremtuar në Kapelën
Shtëpisë së Shën Martës. Papa nënvizoi se Jezusi na fton të kemi guxim edhe në lutje
dhe i nxiti të krishterët të mos jenë të ftohtë në fe. Gjatë Meshës, bashkëkremtuar
me kryeipeshkvin Klaudio Maria Çeli, kryetar i dikasterit të Komunikimeve Shoqërore,
morën pjesë edhe Rojet Zvicerane Papnore, shoqëruar nga komandanti, Daniel Rudolf
Anrig. Në përfundim të kremtimit, Papa u drejtoi Rojeve një përshëndetje të veçantë.
Ju, u tha, jepni një dëshmi të bukur besnikërie ndaj Kishës, që është edhe dëshmi
dashurie për Papën.“Zoti na dhëntë të gjithëve hirin, guximin e qëndresën në lutje”.
Këtë pohoi Papa Françesku, duke e përqendruar homelinë pikërisht mbi temën e guximit
në kumtimin e Ungjillit. Ne të krishterët, që e morëm fenë, theksoi, duhet edhe ta
transmetojmë, duhet ta shpallim me jetën tonë, me fjalën tonë. Por, ç’kuptojmë me
fjalën fe themelore? Është, vijoi Papa, besimi në Krishtin e Ngjallur, në Jezusin,
që na i fali mëkatet me vdekjen e tij e na pajtoi me Atin: “E transmetimi i
kësaj feje kërkon nga ne të jemi të guximshëm: kërkon guxim në transmetimin e fesë.
Një guxim, disa herë krejt i thjeshtë. Më lejoni të kujtoj një histori personale:
kur isha fëmijë, gjyshja çdo të Premte të Madhe na çonte në procesionin me qirinj
të ndezur e, në fund të procesionit, vinte Krishti i vdekur e gjyshja na bënte të
gjunjëzoheshim e na thoshte ne, fëmijëve: ‘Shikojeni, vdiq! Po nesër do të ngjallet!’.
Kështu hyri feja: besimi në Krishtin e vdekur e të ngjallur. Në historinë e Kishës
shumë, shumë janë ata, që deshën ta zbehin këtë siguri të fortë, duke folur për ringjallje
shpirtërore. Jo, Krishti është i gjallë!”. Krishti është i gjallë, është mes
nesh! Këtë pohoi me forcë Papa Françesku, që i nxiti të krishterët të kenë guxim për
ta kumtuar Ngjalljen e Zotit, Lajmin e Mirë. Por, vijoi, Krishti na kërkon edhe një
guxim tjetër: “Jezusi, për ta theksuar më shumë këtë, na sfidon e na thotë:
‘Gjithçka që të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj…’. E fortë, kjo! A e kemi guximin
të shkojmë te Jezusi e t’i kërkojmë kështu: ‘Na e ke thënë vetë, bëje tani!’. Bëj
që feja të shkojë përpara, bëj që Ungjillëzimi të ecë përpara, bëj që ky problemi
im të zgjidhet’…’. A e kemi këtë guxim në lutje? Apo lutemi si të na vijë për mbarë,
duke i kushtuar pakëz kohë lutjes? Po ky guxim, kjo Parresia duhet të ndjehet në lutje”. Më
pas Papa kujtoi Shkrimin Shenjt, në të cilin lexojmë sesi Abrahami e Moisiu kanë guxim
të dialogojnë me Zotin: guxim në favor të të tjerëve, në favor të Kishës, që duhet
ta kemi edhe ne sot:“Kur Kisha e humbet guximin, në Kishë hyn atmosfera e ftohtësisë.
Hyjnë të ftohtët, të krishterët e vakët, pa guxim… Kjo e dëmton rëndë Kishën, sepse
ftohtësia të hyn në shpirt, nisin problemet ndërmjet nesh; nuk kemi horizonte, nuk
kemi guxim ta kumtojmë Ungjillin. Jemi të ftohtë. Ne, që kemi guxim të ngatërrohemi
në gjërat tona të vogla, në zilitë tona, në smirat, në karrierizmin, në ecjen egoistike
përpara, duke shkelur mbi të tjerët. Në të gjitha këto gjëra e kemi guximin, po kjo
nuk i bën mirë Kishës: Kisha duhet të jetë guximtare! Ne të gjithë duhet të jemi guximtarë
në lutje, duke e sfiduar Jezusin!”.