2013-05-03 16:51:46

Papa ipeshkvijve të Markeve: kujdes të rinjtë familjen e punën.


Papa priti sot në audiencë grupin e parë të ipeshkvijve të Konferencës ipeshkvnore të Markeve, në vizitë ‘ad Limina’. Ndërmjet prelatëve, ishte edhe imzot Edoardo Menikeli, kryeipeshkëv i Ankonë-Ozimos. E ftuam të na flasë për takimin me Papën Françesku:

Përgjigje: - Ishte takim shumë i bukur, familjar; dialog me zemër të hapur. Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek të rinjtë, të cilëve u duhet propozuar seriozisht feja e krishterë, duke i shoqëruar në çdo hap, që të jenë gati për veprimtari misionare. Papa i kushtoi vëmendje edhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke folur me shqetësim posaçërisht për baritorinë e familjes.

Pyetje: - Në këtë çast krize për vendin, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore, si ipeshkvij?

Përgjigje: - Ne i folëm Atit të Shenjtë edhe për këtë aspekt, sepse toka jonë, që gëzonte mirëqenie mjaft të përhapur, po jeton në një stinë të ftohtë. Atëherë del në plan të parë vëmendja për të varfërit e rinj e të vjetër dhe dëshira e thellë për t’ua rikthyer dinjitetin njerëzve. E dinjiteti rikthehet kryesisht kur njeriu ka mundësi të punojë. Papa e preku sërisht këtë problem, pas denoncimit të fuqishëm, që bëri më 1 maj, duke kërkuar punë për të gjithë.

Pyetje: - Thirrja juaj drejtuesve të pasurisë publike, në këtë çast kaq të vështirë për vendin ?
Përgjigje: - Mendoj se duhet shikuar më tepër interesi i përbashkët, sesa ai vetjak. Duhet vlerësuar fakti që pasuria individuale të vihet në shërbim të së mirës së përgjithshme. Nuk mund flitet me besim për ardhmërinë, në një shoqëri ku disa janë tepër mirë, të tjerë, tepër keq! Është e nevojshme të bëhet ky hap i guximshëm, që bazohet mbi dinjitetin e njeriut e, përsa na përket ne të krishterëve, edhe mbi respektin për të gjithë e vullnetin mirë të të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.